Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se askush nuk mbijetoi në përplasjen e avionit të pasagjerëve me 64 persona në bord me një helikopter ushtarak jashtë kryeqytetit amerikan Uashington.
Trump tha se zyrtarët akoma nuk e dinë se çfarë çoi në rrëzimin e fluturimit 5342 të kompanisë ‘American Airlines’ dhe një helikopteri ushtarak ‘Black Hawk’ pranë aeroportit kombëtar ‘Reagan’, por tha se kanë “disa opinione dhe ide shumë të forta”.
“Mendojmë se kemi disa ide mjaft të mira, por do të zbulojmë se si ndodhi kjo fatkeqësi dhe do të sigurojmë që asgjë e tillë të mos ndodhë më kurrë. FAA, NTSB dhe ushtria amerikane do të kryejnë një hetim sistematik dhe gjithëpërfshirës”, tha Trump.
Trump me sa duket fajësoi ekuipazhin e helikopterit ushtarak, duke theksuar, “Ju kishin një problem të pilotit nga këndvështrimi i helikopterit”.
“Ishte natë shumë e kthjellët, ishte ftohtë, por kthjellët dhe avioni i ‘American Airlines’ kishte drita të ndezura. Ata i kishin ndezur të gjitha dritat e uljes”, tha Trump.
“Kishit një helikopter që kishte aftësinë për të ndaluar, unë kam helikopterë. Ai kishte aftësinë të shkojë lart ose poshtë dhe kishte aftësinë për t’u kthyer. Dhe kthesa që bëri nuk ishte kthesë e duhur. Dhe, disi ndodhi e kundërta e asaj që u tha”, shtoi ai.