Trump bëhet ish-presidenti i parë i ShBA-së që u fotografua në burg.     /Foto: Reuters

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, iu dorëzua autoriteteve në Fulton të Xhorxhias të enjten, pasi u akuzua se kishte planifikuar të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në atë shtet federal.

Trump u lirua me kusht prej 200.000 dollarësh gati 20 minuta pasi u pranua në burgun e Qarkut Fulton, ku iu morën shenjat e gishtave dhe u fotografua, duke u bërë presidenti i parë i ShBA-së në histori që e bën këtë.

Duke vënë në dukje se ishte një "ditë shumë e trishtuar për Amerikën", ai u tha gazetarëve në aeroportin e Atlantës se arrestimi i tij ishte një shembull i "ndërhyrjes në zgjedhje".

"Ajo që ndodhi këtu është një ofendim për drejtësinë. Ne nuk bëmë asgjë të gabuar. Unë nuk bëra asgjë të gabuar dhe të gjithë e dinë që nuk kam pasur kurrë një mbështetje të tillë. Ne kemi çdo të drejtë, çdo të drejtë për të sfiduar një zgjedhje që mendojmë se është e padrejtë", tha Trump.

Trump përballet me 13 akuza për krime në çështjen e Xhorxhias, duke përfshirë shantazhin, për presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje dhe për krijimin e një liste të paligjshme zgjedhësish për të minuar konfirmimin formal të Kongresit të fitores së Joe Biden.

Trump, si 18 persona të tjerë të paditur nga prokurorja e Qarkut Fulton, Fannie Willis në fillim të këtij muaji, u përball me një afat të së premtes për t'u dorëzuar ose për t'iu dorëzuar një urdhër arresti.

Ish-avokatët e Trump, Rudy Giuliani dhe Sidney Powell, u dorëzuan të mërkurën.

Të gjithë akuzohen se janë pjesë e një komploti që tentoi të manipulonte në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve në Gjeorgji dhe shtete të tjera me qëllimin për të mbajtur Trumpin në pushtet.

Trump tani është paditur katër herë në gjykatat shtetërore dhe federale që nga largimi nga detyra. Akuzat variojnë nga pagesa e parave për një aktore të filmave për të rritur, përpjekja për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve kombëtare, mbajtja e paligjshme e dokumenteve të klasifikuara dhe përpjekja për të penguar hetuesit të kryejnë detyrat e tyre.

TRT Balkan / agjencitë