Trump kryeson në zgjedhjet paraprake republikane për president të ShBA-së. / Foto: AA Archive

Ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, fitoi zgjedhjet paraprake republikane në New Hampshire të martën, duke mundur ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Sipas Associated Press, menjëherë pas mbylljes së votimeve të fundit, me pak më shumë se gjysmën e votave të numëruara, Trump kishte rreth 54 për qind epërsi kundrejt 45 për qind sa kishte Haley.

Sipas parashikimeve, Trump pritej të fitonte të paktën 12 delegatë, ndërsa Haley të paktën nëntë.

Pavarësisht rezultateve, Nikki Haley u zotua se do të vazhdojë fushatën përpara se në vendlindjen e saj, Karolinën e Jugut, të organizohen zgjedhjet paraprake republikane më 24 shkurt.

"Kjo garë është larg përfundimit. Janë dhjetëra shtete ku duhet shkuar dhe i radhës është shteti im i ëmbël i Karolinës së Jugut", tha ajo para turmës.

Ajo gjithashtu uroi Trump për fitoren, por këmbënguli se kjo nuk përbënte "kurorëzimin" e tij si kandidati republikan kur 48 shtete ende nuk kanë votuar.

"New Hampshire është i pari në vend, nuk është i fundit", tha ajo.

Në festën e tij në Nashua, Trump tha: "Ajo nuk fitoi. Ajo humbi", ndërsa duke mos përmendur emrin e saj, ai tha se ajo kishte një "natë shumë të keqe".

Me këtë fitore dhe fitoren bindëse të javës së kaluar në grupin parlamentar të Iowas, Trump kryeson në dy garat e para të ciklit zgjedhor 2024.

TRT Balkan / agjencitë