Trump nga janari vendos tarifa për produktet nga Kina, Kanadaja dhe Meksika.        Foto: Reuters

Presidenti i sapozgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja gjithëpërfshirëse për mallrat nga Meksika, Kanadaja dhe Kina sapo të marrë detyrën, si pjesë e përpjekjeve për ta luftuar imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.

Trump shkroi në rrjetin social Truth se më 20 janar ai do t'i nënshkruajë të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur një tarifë prej 25 për qind për të gjitha produktet nga Meksika dhe Kanadaja të importuara në Shtetet e Bashkuara dhe një tarifë 10 për qind për produktet nga Kina, raportoi televizioni CBS.

Ai tha se tarifat e reja do të mbeten në fuqi "derisa droga, veçanërisht fentanili, të çrrënjoset" si dhe emigrantët e paligjshëm.

Trump tha se kishte shumë biseda me Kinën rreth sasive të mëdha të drogës, veçanërisht fentanilit, që dërgoheshin në Shtetet e Bashkuara, por se këto bisedime ishin të pasuksesshme.

CBS-i raporton se tarifat e reja mund të rrisin në mënyrë dramatike çmimet për çdo gjë, nga gazi te makinat.

ShBA-ja është importuesi më i madh në botë, me Meksikën, Kinën dhe Kanadanë si tre furnizuesit kryesorë, sipas të dhënave të fundit.

TRT Balkan / agjencitë