Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni në vilën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Meloni vizitoi Trumpin përpara takimit me presidentin aktual amerikan, Joe Biden, i cili do të vizitojë Romën nga 9 deri më 12 janar.
“Është shumë emocionuese. Jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo ka fituar Evropën,” tha Trump për të pranishmit në Mar-a-Lago.
Dy zyrtarët morën pjesë në shfaqjen e një dokumentari, pas së cilës u organizua një darkë e përbashkët.
Takimi joformal, i konfirmuar nga burime të besueshme, thekson synimet e kryeministres Meloni për të forcuar lidhjet me administratën e re amerikane, raportoi “The New York Times”.
Meloni, e cila nga disa konsiderohet si një lidere konservatore në Evropë, shpesh ka shprehur publikisht admirimin e saj për Trumpin.
Disa analistë e shohin këtë vizitë si një lëvizje strategjike për ta pozicionuar Melonin si aleaten kryesore evropiane të Trumpit. Ata gjithashtu parashikojnë që ajo mund të luajë një rol kyç në ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e tensioneve mes Trumpit dhe liderëve të tjerë evropianë, veçanërisht pas kërcënimeve të presidentit të sapozgjedhur për një luftë tregtare me Evropën dhe paralajmërimeve për reduktimin e mbështetjes amerikane ndaj NATO-s dhe Ukrainës.
Pas fitores në garën presidenciale, Trump priti në resortin e tij në Florida edhe presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Trump do të marrë zyrtarisht detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në inaugurimin që do të mbahet më 20 janar.