Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, vazhdoi ta sulmojë të premten Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke pretenduar se ajo është e mbushur me "mashtrime të gjera" dhe duke deklaruar se "asgjë" nuk mund të ndalojë përpjekjet e tij për ta mbyllur atë.
"USAID po çmend të majtët radikalë, dhe nuk kanë çfarë të bëjnë sepse mënyra se si janë shpenzuar paratë, shumë prej tyre në mënyrë mashtruese, është tërësisht e pashpjegueshme," shkroi ai në rrjetin e tij social.
"Korrupsioni është në nivele rrallë të parë më parë!", shtoi ai.
Mashtrimet dhe korrupsioni të cilave u referohet Trump mbeten të paqarta, disa javë pas fillimit të goditjes së tij ndaj agjencisë. Disa nga zyrtarët dhe ndihmësit e tij të lartë, përfshirë Elon Musk, kanë kritikuar programet e financuara nga Kongresi për arsye ideologjike, por nuk ka prova që këto fonde janë përdorur në mënyrë të paligjshme.