Kandidati republikan për president dhe ish-Presidenti Donald Trump të martën hodhi votën e tij në zgjedhjet amerikane në shtetin Florida. Me një kapelë të kuqe "Ta Bëjmë Amerikën të Madhe Përsëri", Trump, së bashku me gruan e tij Melania, votoi në një qendër votimi në Palm Beach, afër rezidencës së tij.
Duke folur me gazetarët pas votimit, Trump tha se u ndje shumë i nderuar kur e pa se radhët janë të gjata.
"Ndihem shumë i sigurt. E dini, sot hyjmë me një avantazh shumë të madh, si dhe duket se republikanët kanë ardhur me forcë. Pra, do të shohim si do të shkojë. Por, duket se ata kanë ardhur me të vërtetë me forcë," u tha Trump gazetarëve.
Kandidati republikan tha se do të monitorojë rezultatet e zgjedhjeve nga Mar-a-Lago, resorti i tij dhe pretendoi se ka një "avantazh të konsiderueshëm." Kur u pyet nëse u tha mbështetësve të tij që nuk duhet të ketë dhunë në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve, Trump tha se nuk ka nevojë t'ua thotë atyre.
"Sigurisht, nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm... Dhe unë sigurisht nuk dua asnjë dhunë, por sigurisht që nuk kam nevojë të them… Këta janë njerëz të shkëlqyer," shtoi ai. Trump gjithashtu tha se do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve "të drejta." "Nëse humbas një zgjedhje, nëse është një zgjedhje e drejtë, do të jem i pari që do ta pranoj. Dhe mendoj se ka qenë e drejtë," tha ai.
Miliona amerikanë po votojnë për të zgjedhur midis Trumpit dhe rivales demokrate Kamala Harris për presidentin e 47-të të ShBA-së. Zgjedhësit po hedhin votat e tyre ndërsa Trump dhe Harris ndodhen në një garë të ngushtë. Një përmbledhje e sondazheve nga faqja e internetit RealClearPolitics ka Harris përpara me vetëm 0,1% në nivel kombëtar pas fitimit të terrenit në javët e fundit kundër Trumpit, duke fshirë avantazhin e tij dikur.
Më poshtë në fletën e votimit, zgjedhësit do të vendosin për përbërjen e Kongresit të ardhshëm të ShBA-së. Në Senat, 34 vende janë në zgjedhje. Senatorët zgjidhen për një periudhë gjashtëvjeçare dhe një e treta zgjidhen çdo dy vjet. Rreth katër nga garat konsiderohen të paqartë, duke përfshirë gara në Michigan, Ohio, Pennsylvania dhe Wisconsin, të cilat aktualisht mbahen nga demokratët.
Republikantët kanë pak përparësi për të fituar kontrollin numerik të Senatit, por kushdo që del fitues do të duhet të navigojë një shumicë të ngushtë dhe të rrezikshme. Në Senatin me 100 vende, për shkak të rregullave procedurale, partitë shpesh kanë nevojë për 60 vota dhe jo vetëm 50 për ta miratuar legjislacionin.
Të gjitha 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve janë në zgjedhje, dhe si në Senat, shumica e parashikimeve kanë Dhomën pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë. Vetëm disa dhjetëra zgjedhje konkurruese do të vendosin nëse republikanët apo demokratët do të kontrollojnë Dhomën.
Në nivelin shtetëror dhe lokal, zgjedhësit do të vendosin për një gamë iniciativash dhe garash, nga bordet e shkollave deri te masat e votimit në nivel shtetëror që mund të kenë peshën e ligjit. Një total prej 11 garash guvernatoriale në gjithë vendin janë gjithashtu në lojë.