Trump vendos tarifa për importet nga Meksika, Kanadaja dhe Kina                                                                 Foto: AA

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të shtunën një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave mbi importet nga Meksika, Kanadaja dhe Kina, me qëllim zgjidhjen e krizës së fentanilit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Masat përfshijnë një tarifë prej 25% mbi mallrat meksikane dhe kanadeze, si dhe një shtesë prej 10% mbi importet nga Kina, derisa këto vende të “bashkëpunojnë plotësisht” me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër trafikut të drogës, thuhet në deklaratë.

“Presidenti Donald Trump po ndërmerr veprime të vendosura për të mbrojtur amerikanët nga kriza e fentanilit. Fentanili është shkaku kryesor i vdekjeve te amerikanët e moshës 18 deri në 45 vjeç,” thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

SHBA-ja ka akuzuar kartelet meksikane se janë “trafikantët kryesorë botërorë” të fentanilit dhe drogave të tjera, duke përmendur edhe pretendime për një aleancë mes karteleve dhe qeverisë meksikane.

Sa i përket Kanadasë, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje rritjen e prodhimit të fentanilit dhe kalimet e paligjshme të kufirit, duke theksuar se “në vitin fiskal të kaluar, në kufirin verior është kapur sasi e mjaftueshme fentanili për të vrarë 9.8 milionë amerikanë”.

Përveç tarifës prej 25%, SHBA-ja ka vendosur edhe një taksë prej 10% mbi burimet energjetike kanadeze, thuhet në deklaratë.

Kina është kritikuar për rolin e saj të supozuar në subvencionimin e kompanive kimike për eksportin e fentanilit.

“Kina jo vetëm që nuk po ndalon burimin e drogave të paligjshme, por edhe e ndihmon aktivisht këtë biznes,” thuhet në deklaratë.

Tarifat synojnë të ushtrojnë presion mbi Meksikën, Kanadanë dhe Kinën për të bashkëpunuar më shumë në luftën kundër drogave dhe sigurinë kufitare, nënvizon Shtëpia e Bardhë.

TRT Balkan / agjencitë