Kryqi i Kuq Libanez njoftoi se ushtria izraelite shënjestroi ekipin e ndihmës së parë që shkoi për të shpëtuar të plagosurit në sulmin në qytetin Sur në jug të vendit.
Në deklaratën e Kryqit të Kuq të publikuar në agjencinë libaneze të lajmeve NNA thuhet se pas sulmit të ushtrisë izraelite në qytetin Sur ekipet e ndihmës së parë të Kryqit të Kuq bënë kontaktet e nevojshme për koordinim me UNIFIL për të siguruar një rrugë të sigurt dhe u zhvendosën në rajon për shpëtuar të plagosurit.
Ushtria izraelite shënjestroi me raketa ekipet e Kryqit të Kuq dhe ambulancat që arritën në zonën e sulmit dhe nga goditja e raketës u dëmtuan dy autoambulanca ndërsa punonjësit shëndetësorë i shpëtuan sulmit pa u lënduar dhe u kthyen në selinë e tyre.
Sipas një lajmi tjetër në NNA, ushtria izraelite kreu 9 sulme në qytetin Nabatieh në më pak se një orë. Informohet se 12 ndërtesa që ishin objektiv i sulmeve u shkatërruan. Ende nuk është dhënë asnjë informacion në lidhje me humbjet e jetëve.
Në sulmet e intensifikuara të Izraelit në Liban kanë humbur jetën 2.710 persona Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator nisi qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, gjithsej 2.710 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë, ndërsa 12.592 të tjerë janë plagosur që nga 8 tetori 2023. Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Ndërkaq, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha. Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.
Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, qeveria libaneze ka njoftuar se më shumë se 518 mijë persona kanë migruar në Siri.