Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) çliroi të hënën lagjen Munbixh nga grupi terrorist PKK/YPG i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke pastruar bastionin më të madh të terroristëve në perëndim të lumit Eufrat.
Si pjesë e operacionit Agimi i Lirisë, SNA-ja çliroi rajonin Ureimeh në Munbixhin perëndimor dhe fshatin Um Dadat në veri përpara se të hynte në distrikt nga frontet veriore dhe perëndimore, duke siguruar kontroll të plotë.
Munbixhi, i pushtuar prej kohësh nga PKK/YPG-ja e mbështetur nga ShBA-ja, ishte një qendër kryesore për grupin terrorist në perëndim të Eufratit.
Tani po bëhen përpjekje për ta pastruar zonën nga minat e vendosura nga terroristët.
SNA-ja nisi operacionin Agimi i Lirisë më 1 dhjetor dhe çliroi qendrën e qarkut të Tel Rifaat nga PKK/YPG-ja në të njëjtën ditë.
Rëndësia strategjike e Munbixhit
Pavarësisht premtimeve nga ShBA-ja dhe Rusia, qarku mbeti nën kontrollin e terroristëve të PKK/YPG-së.
Organizata terroriste pushtoi Munbixhin midis majit dhe gushtit 2016 gjatë një ofensive të mbështetur nga ShBA-ja.
Në atë kohë, ShBA-ja e siguroi Türkiyen se PKK/YPG-ja do të tërhiqej pasi zona të pastrohet nga grupi terrorist DAESh, por ky premtim nuk u përmbush.
Në mënyrë të ngjashme, gjatë operacionit "Burimi i Paqes" në tetor 2019, Rusia premtoi të largonte grupin terrorist PKK/YPG-ja nga Munbixhi si pjesë e një marrëveshjeje me Türkiye. Megjithatë, terroristët nuk u larguan kurrë nga rrethi.
Munbixhi ishte në qendër të planit të PKK/YPG-së për të krijuar një korridor terrorist që shtrihej nga kufiri Siri-Irak deri në Mesdhe.
Türkiye i ndërpreu këto plane gjatë operacionit Mburoja e Eufratit në vitin 2016 duke bllokuar lidhjen e drejtpërdrejtë midis Afrinit, Tel Rifaatit dhe Munbixhit.