Vazhdojnë sulmet izraelite në Gaza, të paktën 10 të vdekur / Photo: AA

Të paktën 10 palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë përfshirë fëmijë u plagosën në sulmet që ushtria izraelite kreu ndaj shumë pikave në Rripin e Gazës.

Sipas lajmit të agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, të paktën dy palestinezë kanë vdekur ndërsa disa të tjerë duke përfshirë fëmijë u plagosën, në sulmet që artileria izraelite kreu në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Ndërkohë 4 palestinezë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në sulmin që avionët luftarakë izraelitë kryen ndaj një shtëpie në Kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Po ashtu, bëhet e ditur se dy persona humbën jetën pasi një mjet ajror pa pilot i ushtrisë izraelite shënjestroi një pikë ku ndodhej një grup palestinezësh në rajonin Al-Mawasi në perëndim të Rafah.

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi në lagjen Al-Durj në lindje të qytetit të Gazës, ku si pasojë humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 6 të tjerë.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 38.011 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra, ndërsa janë plagosur 87.445 persona të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur, ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.

TRT Balkan / agjencitë