Venezuela arreston një amerikan tjetër, dyshohej për atentat ndaj Maduros

Venezuela arreston një amerikan tjetër, dyshohej për atentat ndaj Maduros

Departamenti i Shtetit mohoi akuzat për përfshirjen e ShBA-së në planet për të rrëzuar Maduro.
Venezuela arreston një amerikan tjetër, dyshohej për atentat ndaj Maduros. / Foto: AA Archive

Venezuela ka arrestuar një shtetas të katërt amerikan të lidhur me një komplot të dyshuar për të vrarë presidentin Nicolas Maduro, konfirmoi të martën Ministri i Brendshëm Diosdado Cabello.

Amerikani po fotografonte instalimet strategjike, sipas Cabellos.

“Ne e kishim ndjekur atë. Ai u kap këtu në (kryeqytet) Karakas, duke bërë fotografi të instalimeve elektrike, instalimeve të naftës, njësive ushtarake,” tha ai.

I arrestuari u bashkohet tre shtetasve të tjerë amerikanë, dy spanjollëve dhe një shtetasi çek, të cilët u arrestuan në Venezuelë javët e fundit dhe u akuzuan nga autoritetet e vendit se kishin të bëjnë me komplotin për të vrarë presidentin Maduro dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha për Anadolu se është në dijeni të raporteve për arrestimin e mundshëm të një shtetasi tjetër amerikan.

“Jemi në dijeni të raporteve të pakonfirmuara për një arrestim shtesë në Venezuelë. Aftësia jonë për t'u ofruar ndihmë qytetarëve amerikanë në Venezuelë është shumë e kufizuar. Ne jemi duke punuar me zell për informacion shtesë”, tha zëdhënësi.

Departamenti i Shtetit mohoi akuzat për përfshirjen e ShBA-së në planet për të rrëzuar Maduron.

“Çdo pretendim për përfshirjen e ShBA-së në një komplot për të përmbysur Maduron është kategorikisht i rremë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje demokratike të krizës politike në Venezuelë”, thuhet në deklaratë.

Qeveria spanjolle gjithashtu ka mohuar përfshirjen në komplotin e supozuar dhe ka kërkuar informacion për spanjollët e arrestuar.

Të martën, ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares i kërkoi homologut të tij venezuelian, Yvan Gil, të raportojë se ku ndodhen të arrestuarit spanjollë dhe të shpjegojë akuzat kundër tyre, "siç kërkohet nga Konventa e Vjenës".

TRT Balkan / agjencitë