Kina ka marrë vendimin për të sanksionuar Pelosin dhe anëtarët e familjes së saj.     Foto: Reuters 

Kina njoftoi se do të vendos sanksione sot kundër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi dhe familjes së saj, si dhe kundërmasa kundër Shteteve të Bashkuara për shkak të vizitës së Pelosit në Tajvan në fillim të kësaj jave.

Ministria e Jashtme e Kinës tha më herët se Pelosi këmbënguli të vizitonte rajonin kinez të Tajvanit, të cilin ajo e karakterizoi si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

Pekini njoftoi gjithashtu tetë kundërmasa kundër Shteteve të Bashkuara për vizitën e Pelosit në Tajvan, e cila nuk ishte e shënuar në itinerarin e saj zyrtar.

"Kjo në masë të madhe e shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, dëmton seriozisht parimin 'Një Kinë' dhe kërcënon shumë paqen dhe stabilitetin e ngushticës së Tajvanit", thuhet në deklaratë, duke e cilësuar vizitën e Pelosit si një provokim keqdashës.

Në deklaratë thuhet se Kina ka marrë vendimin për të sanksionuar Pelosin dhe anëtarët e familjes së saj.

Tetë kundërmasat që Pekini ka njoftuar përfshijnë anulimin e telefonatave midis zyrtarëve ushtarakë amerikanë dhe kinezë, anulimin e një takimi pune midis departamenteve të mbrojtjes kineze dhe amerikane, pezullimin e bashkëpunimit kino-amerikan për migracionin e paligjshëm, kontrollin e narkotikëve dhe ndryshimet klimatike.

Pelosi është kryetarja e parë femër e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që ka vizituar Tajvanin pas 25 viteve.

Ajo drejtoi një delegacion zyrtarësh amerikanë, të cilët e nisën vizitën e tyre në këtë pjesë të botës duke u nisur për në Singapor të hënën dhe më pas në Malajzi, nga ku udhëtuan për në Tajvan, duke shkaktuar reagime nga Pekini.

Ajo u largua nga Tajvani të mërkurën në mbrëmje për një vizitë në Korenë e Jugut dhe mbërriti në Tokio të enjten në mbrëmje. Pelosi e mbyll vizitën e saj në vendet aziatike duke u kthyer në Shtetet e Bashkuara këtë pasdite.

AA