Dy palestinezë që punonin për Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) janë vrarë së fundmi në një sulm ajror izraelit në automjetin e tyre në Rripin e Gazës qendrore.
Një burim mjekësor në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aksa tha për AA se dy punonjësit e UNRWA-së u vranë pasi automjeti i tyre u godit nga ushtria izraelite në Deir al-Balah.
Gjithashtu, edhe dëshmitarët okularë thanë për AA-në se një dron izraelit goditi një automjet të UNRWA-së në rrugën Salaheddin, duke rezultuar në vdekjen e dy punonjësve brenda automjetit.
UNRWA-ja dhe ushtria izraelite akoma nuk janë prononcuar mbi incidentin.
Ushtria izraelite vazhdon me ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit në tetor të vitit të kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 42.700 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 100.300 të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite në Gaza po ashtu kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Për veprimet e tij në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.