Zvicra është regjistruar si vendi me indeksin më të lartë të çmimeve për mallrat e konsumit dhe shërbimet në Evropë.
Instituti i Statistikave të Türkiyes shpalli rezultatet e "Paritetit të Fuqisë Blerëse dhe Shpenzimeve të Konsumit Final të Familjeve" për vitin 2023.
Sipas statistikave, indeksi i nivelit të çmimeve tregon fuqinë blerëse krahasuese të monedhave kombëtare të vendeve sipas kursit të këmbimit. Nëse indeksi i nivelit të çmimeve të një vendi është më i madh se 100, ai konsiderohet "i shtrenjtë" në krahasim me mesataren e grupit të vendeve me të cilat krahasohet, dhe nëse është më pak se 100, konsiderohet "i lirë".
Sipas rezultateve të Türkiyes për vitin 2023, indeksi i nivelit të çmimeve për mallrat e konsumit dhe shërbimet ishte 42. Kjo vlerë tregoi se e njëjta shportë mallrash dhe shërbimesh të blera për 100 euro në 27 vendet e Bashkimit Evropian (BE), në Türkiye mund të blihej me lira turke për 42 euro.
Krahasimet janë bërë midis 27 vendeve anëtare të BE-së, tri vendeve të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) (Zvicra, Islanda dhe Norvegjia), pesë vende kandidate (Türkiye, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria) dhe një vend kandidat potencial (Bosnjë e Hercegovina).
Krahasuar sipas vendeve, midis 36 vendeve, vendi me indeksin më të lartë të çmimeve për mallrat e konsumit dhe shërbimet ishte Zvicra me 174, ndërsa vendi më i ulët ishte Türkiye me 42.
Kur indeksi i nivelit të çmimeve për grupin e mallrave dhe shërbimeve të konsumit të Türkiyes u ekzaminua sipas nëngrupeve, indeksi i mjeteve personale të transportit ishte 143 dhe u pa se niveli i çmimeve të këtij grupi ishte mbi mesataren e vendeve të BE-së.
Në bazë të nëngrupeve të tjera, indeksi i elektronikës u regjistrua si 69. Niveli i çmimeve të Türkiyes në këtë grup ishte më i lartë se nëngrupet e tjera. Nga ana tjetër, indeksi i veshjeve ishte 30, me çka niveli i çmimeve në këtë grup ishte më i ulët se nëngrupet e tjera.
Türkiye u përcaktua si vendi me vlerën më të ulët të indeksit të veshjeve midis 36 vendeve të përfshira në krahasime. Në grupin e restoranteve dhe hoteleve, vlera e indeksit të Türkiyes ishte 57.