Një juri e madhe paditi të enjten ish-presidentin e ShBA-së, Donald Trump, me akuza lidhur me pagesën e parave për heshtjen e yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels.
Aktakuza shënon herën e parë në historinë e ShBA-së që një president aktual ose ish-president përballet me akuza penale. Trump ka reaguar ndaj aktakuzës dhe Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, i cili i paraqiti provat jurisë së madhe. Ai ka mohuar çdo keqbërje dhe ka thënë se rasti është i motivuar politikisht.
“Ky është Persekutim Politik dhe Ndërhyrje Zgjedhore në nivelin më të lartë në histori”, tha Trump në një deklaratë.
“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në obsesionin e tyre në përpjekjen për të ‘kapur Trump’, por tani ata kanë bërë të pamendueshmen – duke paditur një person krejtësisht të pafajshëm në një akt të ndërhyrjes së hapur në zgjedhje”, tha ish-presidenti.
Bragg, megjithatë, nuk e paditi Trumpin. Juria e madhe e bëri këtë pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga zyra e prokurorit të qarkut dhe vendosi se kishte arsye të arsyeshme që ish-presidenti të përballej me akuzat dhe të dilte në gjyq.
Zyra e Bragg thuhet se e ftoi Trumpin të dëshmonte para jurisë së madhe në fillim të këtij muaji, por ish-presidenti nuk pranoi ta bënte këtë.
Trump përballet me më shumë se 30 akuza në aktakuzën nga juria e madhe e Manhattanit, sipas raporteve të mediave duke cituar burime.
Zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit kërkoi që Trump të dorëzohej të premten, por avokatët e tij e refuzuan planin dhe kërkuan më shumë kohë.
Sipas raporteve, Trump pritet të dorëzohet për një proces gjyqësor të martën e ardhshme.
Trump është kandidati i parë i deklaruar për nominimin republikan në garën presidenciale të vitit 2024 dhe u zotua se "së pari do të mposhtë Alvin Bragg, dhe më pas Joe Bidenin”.
Për herë të parë në historinë e ShBA-së ndodh që një ish-president të përballet me aktakuzë penale.