6,3 milionë vizitorë në janar-korrik, Rama: Turizmi po rritet shpejt / Photo: ATA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar statistikat e turizmit në vend, duke theksuar se Shqipëria turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi.

“Ndër të gjitha pritshmëritë, më e padiskutueshmja është rishikimi i mëtejshëm i formulës së administrimit të plazheve, ku më mbizotëruesja është nevoja jo vetëm për më shumë hapësira publike, po edhe për një shfrytëzim shumë më të përgjegjshëm të hapësirave të administruara nga subjektet private”, tha Rama.

Sipas Ramës, rritja e mëtejshme e numrit të vizitorëve, ka rritur paralelisht edhe peshën e sfidës së pastërtisë, ku vuri në dukje përmirësime të mëtejshme në këtë fushë, duke shtuar se duhet bërë më shumë akoma.

“Ka pasur eksese kundërproduktive me çmimet në zona të caktuara, përkatësisht Vlorë e Sarandë, ku është regjistruar krahasuar me vjet edhe rritja më e lartë e numrit të njësive restorant/bar me rreth 40% njësi të reja, ndërsa rritja e tyre në shkallë vendi është 37%”, raportoi Rama.

Ndërkaq, ai tha se xhiroja e fitimeve në gjithë pjesën tjetër të vendit është rritur me afro 40%, në këto zona ajo është rritur me më pak se 20%, pikërisht edhe si pasojë e rritjes eksesive të çmimeve, të cilat u korrektuan pjesërisht duke nisur nga gjysma e dytë e korrikut.

“Infrastruktura e zhvilluar më tutje nga viti i kaluar, qoftë ajo rrugore apo ajo e furnizimit me energji e me ujë, si edhe masat e marra për mbrojtjen e ujërave larës kanë dhënë kontribut të padiskutueshëm në rritjen e cilësisë së sezonit, por është po kaq i padiskutueshëm volumi i madh i punës që mbetet për t’u bërë në këto drejtime për “Shqipërinë Turistike 2030”, vijoi ai.

Më tej, kryeministri u shpreh se rritja e lartë e numrit të vizitorëve në zonat malore dhe liqenet e lumenjtë e vendit, nga veriu në jug, falë jo vetëm imazhit të ri joshës të Shqipërisë po dhe përmirësimeve të konsiderueshme të infrastrukturës e rritjes së numrit të njësive të shërbimit, ashtu sikundër edhe në qytetet jobregdetare me në krye Tiranën, është lajmi më i bukur i këtij sezoni.

“Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurt në rrugën drejt majës së “SHQIPËRISË2030” nuk zhbëhet dot nga askush”, tha ai.

Të dhënat tregojnë edhe vendet me numrin më të madh të vizitorëve, ku kryesojnë Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Spanja, Anglia, Franca etj.

ATA