Arsimi në Shqipëri vazhdon të mbështetet nga Türkiye / Foto: AA

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për sektorin e arsimit në Shqipëri, ndërkohë ka kontribuar në ngritjen dhe kompletimin me pajisje dhe materiale laboratorike të laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin "Sami Frashëri" në Tiranë.

Në inaugurimin e dy laboratorëve në fjalë ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë Ogerta Manastirliu, ambasadori turk në Tiranë Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TIKA-s Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Tiranë Mustafa Ata, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë Metin Bulut, drejtues të shkollës, mësues dhe nxënës.

Ministrja Manastirliu, e cila ka përfunduar gjimnazin në shkollën në fjalë, në një deklaratë për mediat falënderoi institucionet turke, sipas saj, për gjithë kontributin në lëmin e arsimit sa i përket mbështetjes së posaçme të dedikuara në infrastrukturën shkollore, por gjithashtu edhe në rritjen e infrastrukturës, teknologjisë dhe inovacionit nëpër shkolla.

"Është gjithmonë një kënaqësi rikthimi në Shkollën ‘Sami Frashëri’, një prej shkollave të ekselencës, por tashmë edhe me këta laboratorë modernë që i janë shtuar kësaj shkolle, falë partneritetit që ne kemi me Republikën e Türkiyes, me TIKA-n, e cila është një mbështetëse dhe kontributore në zhvillimin e arsimit në Shqipëri", tha Manastirliu.

Ajo tha se këto laboratorë të rinj janë standardi më i lartë i laboratorëve në strukturat e arsimit në Shqipëri, sipas saj, një model fantastik që do ta aplikojnë edhe në struktura të tjera arsimore.

Çevik deklaroi se TIKA ka 28 vjet që është e pranishme në Shqipëri, sipas tij, duke realizuar deri më sot 600 projekte në fusha të ndryshme, ndërsa shtoi se projekti i laboratorëve është projekti i 131-të që kanë realizuar në fushën e arsimit.

"Jemi munduar që në fushën e arsimit të ndihmojmë dhe japim edhe ne kontributin tonë për shtetin shqiptar, duke ndihmuar në rikonstruksionin e shkollave, krijimin e laboratorëve, si ky që kemi bërë sot këtu, në krijimin e klasave për personat me aftësi ndryshe, mobilimin e shkollave e të tjera", tha Çevik.

Ambasadori Atay falënderoi ministren Manastirliu për mundësinë e bashkëpunimit për këtë projekt.

"Ju mund të keni mundësinë për t’u zhvilluar, por në momentin që nuk keni një ambient i cili të krijojë këto kushte për zhvillim, patjetër që është më e vështirë, prandaj dua të falënderoj ministren (Manastirliu) që na dha mundësinë që edhe ne të jemi pjesë mbështetëse në rrugën për zhvillimin", tha Atay.

Seferi deklaroi se nxënësit e kësaj shkolle tanimë nuk do të mësojnë vetëm teorikisht, por edhe në praktikë, falë këtyre laboratorëve me kontributin e TIKA-s, duke shtuar se kjo është një element shumë i rëndësishëm për rritjen e mëtejshme të arsimimit të nxënësve.

TIKA ka kontribuar në ngritjen e laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin "Sami Frashëri", duke përfshirë pajisjen me mikroskopë, tabela interaktive, kapa e aspirimit, monitorë, aparate të ndryshëm, mobilimin me tavolina dhe pajisje të tjera.

AA