Atay: Sivjet shënojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri.     /Foto: AA

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, tha se viti 2023 si vit që shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri, do të jetë një periudhë e veçantë mes dy vendeve.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Atay vlerësoi marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Shqipërisë, të cilat shënojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Duke kujtuar se marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u vendosën me Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme dhe Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve më 15 dhjetor 1923, Atay tha se viti 2023 është i rëndësishëm sepse do të shënohet 100-vjetori i Republikës së Türkiyes dhe 100-vjetori i marrëdhënieve me Shqipërinë.

Ai rikujtoi se në janar të vitit 2021 u nënshkrua një deklaratë politike midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, e cila i ngriti marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik, duke shtuar se të dyja vendet, që dikur ishin partnerë strategjikë natyrorë, tani janë edhe zyrtarisht partnerë strategjikë.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet dypalëshe janë intensifikuar në të gjitha nivelet që nga kjo datë, Atay tha se gjatë vizitës së ministres shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në Türkiye në nëntor 2022, u bënë përgatitjet për Këshillin e Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me homologun e tij Mevlüt Çavuşoğlu.

"Prandaj, viti 2023 do të jetë vërtet një periudhë e veçantë mes dy vendeve dhe ne do ta festojmë këtë 100-vjetor së bashku me aktivitete të përbashkëta", theksoi ambasadori Atay.

Ai sqaroi se 100-vjetorin e marrëdhënieve do ta festojnë si Türkiye, ashtu edhe Shqipëria, dhe shtoi se po punojnë për aktivitete të përbashkëta me autoritetet shqiptare për këtë çështje.

Türkiye pranë Shqipërisë në kohë të mira dhe të këqija

Më tej Atay tha se Türkiye dhe Shqipëria janë dy aleatë në NATO dhe dy vende kandidate për në BE së bashku me Shqipërinë, e cila filloi negociatat në korrik 2022.

"Ne tashmë kemi një fat të përbashkët në shumë platforma. Të dyja vendet kanë lidhje të ngushta si dy ballkanike dhe dy vëllezër. Türkiye ka qëndruar gjithmonë dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë vëllait Shqipërisë në kohë të mira dhe të këqija", u shpreh ai.

Duke u ndalur në rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike, që po vijojnë në përputhje me rrjedhën e marrëdhënieve politike, Atay vazhdoi:

"Më shumë se 600 kompani tona veprojnë në Shqipëri. Ka kompani turke jashtëzakonisht të rëndësishme, veçanërisht në sektorë të rëndësishëm si minierat dhe bankat. Përveç kësaj, vëllimi ynë tregtar ka arritur në 1,1 miliard dollarë në vitin 2022. Rrjedhimisht, ne kemi arritur dhe madje tejkaluar objektivin tonë prej një miliardë dollarësh. Ka një klimë shumë pozitive midis dy vendeve për sa u përket investimeve. Türkiye është një nga investitorët më të rëndësishëm dhe më të mëdhenj në Shqipëri me investimet e saj prej 3,5 miliardë dollarësh".

Ambasadori turk vuri në dukje se Shqipëria do të inkurajojë investitorët dhe sipërmarrësit turq me forcimin e perspektivës së BE-së, duke shtuar se mendojnë që investitorët turq do të jenë më të interesuar për Shqipërinë në kontekstin e së ardhmes evropiane.

Türkiye mbron mbështetjen e anëtarësimit të Ballkani në BE

Sipas tij, Türkiye gjithmonë ka mbështetur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE dhe NATO. "Gjithashtu, si një kandidat i BE-së, Türkiye, në aspektin e së ardhmes së Ballkanit mbron mbështetjen e anëtarësimit në BE. Edhe ne jemi kandidat të BE-së. Jemi një vend që jemi në negociata dhe besojmë përzemërsisht se Ballkani me historinë që e posedon, problemet e së kaluarës mund t'i lërë pas vetëm në kuadrin e BE-së. Prandaj, besojmë përzemërsisht se BE është e ardhmja e Ballkanit. Prandaj, ne gjithmonë kemi mbrojtur që Ballkani duhet të trajtohet me prioritet në kontekstin e zgjerimit të BE-së", theksoi ambasadori turk.

Duke vënë në dukje se ata e mirëpritën vendimin me të cilën Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria filluan negociatat e anëtarësimit me BE-në në korrik 2022, Atay shprehu shpresën që Shqipëria me shpejtësi të arrijë në anëtarësim të BE-së.

"Edhe ne strategjikisht, si një vend i cili anëtarësimin në BE e kemi përcaktuar si një objektiv kryesor, në këtë proces, në procesin e negociatave të aderimit, jemi të gatshëm të ndajmë me autoritetet e Shqipërisë njohuritë dhe përvojën që kemi përfituar", tha ambasadori turk duke rikujtuar se zëvendësministri i Jashtëm dhe kryetari për Bashkimin Evropian i Türkiyes, Faruk Kaymakcı, në dhjetor është takuar me ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, në Tiranë ku janë dakorduar për bashkëpunim në proceset e BE-së.

Privilegj i madh të jesh ambasador i Türkiyes në Tiranë

Atay, më tutje, duke theksuar se populli turk dhe ai shqiptar janë shumë afër mes njëri-tjetrit, dhe se vetëm kanë dallim në aspektin gjuhësor, tha se të dy popujt ngjajnë shumë me njëri-tjetrin për nga traditat, zakonet, mënyra e shikimit të ngjarjeve dhe marrëdhëniet e jetesës e asaj farefisnore.

"Prandaj, kjo nuk është një lidhje e veçantë që mund t'i jepet çdo vendi. Jemi tejet të kënaqur nga ky fakt. Në Türkiye kemi një numër të madh të shtetasve tanë me origjinë shqiptare. I vazhdojnë lidhjet e tyre me këtu. Këtë lidhje sociale ne e konsiderojmë si pasuri. Mbi këtë mundohemi të ndërtojmë marrëdhëniet tona politike, kulturore dhe ekonomike", tha Atay për AA.

Sipas tij, të jesh ambasador në Tiranë është një privilegj i madh dhe se në Shqipëri ndihet sikur në shtëpinë e tij.

Atay theksoi se Shqipëria me bukuritë dhe burimet natyrore është një vend shumë i bukur dhe i veçantë, ndërsa kryeqytetin Tiranë e cilësoi si "perla e Ballkanit", duke shtuar se në periudhën e ardhshme do të vizitojë me familjen e tij qytetet e ndryshme të Shqipërisë.

AA