Austria mbështet integrimin e Shqipërisë në BE / Photo: AA

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, po qëndron sot për vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka takuar kreun e shtetit shqiptar, presidentin Bajram Begaj.

Presidenti Begaj tha se vizita e homologut austriak në Shqipëri është dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë në procesin integrues të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor si një vend me angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane.

“Kjo vizitë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të veçantë. Austria është partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-austriake përjetojnë një klimë të mirë bashkëpunimi dhe se dialogu politik është intensifikuar përfshirë nivelin e vizitave”, tha Begaj.

Presidenti i Shqipërisë tha se e ka informuar presidentin austriak për përparimin e bërë në zbatimin e reformave në integrimin evropian.

“E sigurova që Shqipëria mbetet e dedikuar në të gjitha nivelet për rezultate të dukshme në reformën në drejtësi. Brenda kompetencave kushtetuese mbetem tërësisht i angazhuar për mbështetjen e ecurisë së reformës në drejtësi që të gjitha institucionet e larta të drejtësisë të arrijnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, që Shqipëria të forcojë shtetin e të drejtës, garant të cilësisë së demokracisë dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e plotë të shtetasve tanë dhe respekt ndërkombëtar”, nënvizoi Begaj.

Duke folur për Kosovën, Begaj tha se “shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

ATA