Edi Rama: Drejtësia do të triumfojë për ish-krerët e UÇK-së    /  Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar se janë mbledhur nënshkrimet në Asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuza për trafikim të organeve njerëzore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“I mblodhëm më në fund firmat në Asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore”, u shpreh Rama, në rrjetet sociale.

Kryeministri theksoi se rruga e drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.

Në 12 tetor 2022, në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së, Rama i bëri thirrje Këshillit të Europës që të rrëzojë akuzat kundër Kosovës dhe të pranojë kërkesën e Shqipërisë për një rezolutë të re.

Kujtojmë se sot në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, me ç’rast ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.

TRT Balkan / agjencitë