Erdoğan në Tiranë: Pajisje ushtarake dhe trajnim për forcat shqiptare / Photo: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, në konferencën për media me kryeministrin e Shqipërisë tha se me marrëveshjet që kanë nënshkruar sot kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të bashkëpunuar.

Presidenti Erdoğan dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajtën këtë të enjte konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre në Kryeministri, Takimit të Dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve midis dy vendeve.

"Me katër marrëveshjet që kemi nënshkruar në fushat e bashkëpunimit, komunikimit, arsimit dhe bujqësisë, kemi konfirmuar vullnetin tonë për të bashkëpunuar", u shpreh presidenti turk lidhur me marëveshjet që u nënshkruan mes dy vendeve.

Duke u shprehur se është i lumtur që ndodhet në vendin mik dhe vëllazëror të Shqipërisë, Erdoğan tha: "Siç e dini, vitin e kaluar ne festuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë, të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore, në fakt shtrihen përtej një shekulli".

Presidenti turk theksoi se diskutimet e sotme e forcuan edhe më shumë partneritetin strategjik, i cili u vendos në vitin 2021 mbi bazën e një themeli historik, njerëzor dhe kulturor. Ai shtoi se gjatë takimit u shkëmbyen mendime të hollësishme për fushat e bashkëpunimit të përcaktuara në takimin e parë të Këshillit, që u mbajt në Ankara në shkurt 2023.

Duke folur për vëllimin tregtar midis dy shteteve, Erdoğan tha: "Vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta që të rrisim vëllimin tonë tregtar me Shqipërinë në 2 miliardë dollarë në fazën e parë".

"Ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do të rrisin mirëqenien e popujve tanë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë në fushën e shëndetësisë me operimin e përbashkët të Spitalit të Miqësisë të Fierit, të cilin e ndërtuam në kohë rekord në vitin 2021", u shpreh më tej presidenti turk.

Presidenti Erdoğan gjithashtu në fjalën e tij u shpreh se do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për nevojat e forcave të armatosura të partnerit të tyre strategjik Shqipërisë, në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimit.

"Ne do të ofrojmë gjithashtu mbështetjen e nevojshme për të plotësuar nevojat e forcave të armatosura të partnerit tonë strategjik dhe aleatit të NATO-s, Shqipërisë, në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimit", theksoi Erdoğan.

Në takim, Erdoğan theksoi se me Ramën kanë folur edhe për luftën kundër organizatave terroriste.

"Me kryeministrin Rama kemi trajtuar luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste përfshirë FETO-n. Do të vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste", tha ai.

“Ne ndjekim me vlerësim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe në Liban, ishin ndër pikat prioritare të rendit të ditës së takimit tonë", u shpreh Erdoğan.

"Gjenocidi në Gaza është turpi i përbashkët i gjithë njerëzimit"

Presidenti turk nuk kaloi pa folur edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe në Liban, ishin ndër pikat prioritare të rendit të ditës së takimit tonë", u shpreh Erdoğan.

Duke deklaruar se ai gjithashtu ka shpalosur pikëpamjet e tij për agresionin e qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila, siç tha ai, tani është bërë një kërcënim për rendin global përtej atij rajonal, presidenti Erdoğan tha:

"Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i gjithë njerëzimit", u shpreh Erdoğan duke shtuar se si komunitet ndërkombëtar, duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, dërgimin e ndihmave humanitare dhe për presion ndaj Izraelit".

Xhamia e Namazgjasë

Presidenti Erdoğan kujtoi se sot me kryeministrin Rama do të bëjnë hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, të cilën ai e quajti si "dhuratë e popullit turk për vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri", e cila është ndërtuar me mbështetjen e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes dhe Fondacionit Diyanet.

Erdoğan falënderoi kontribuuesit që mundësuan ndërtimin e këtij objekti.

"Kjo vepër e dalluar, xhamia më e madhe në Ballkan, do të jetë një vend adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit, vlerat e larta të Islamit", tha ai.

Duke falënderuar gjithë popullin shqiptar, veçanërisht kryeministrin Rama, për mikpritjen e sinqertë, Erdoğan tha: "Shpresoj që hapat që kemi ndërmarrë dhe do të hedhim në fusha të ndryshme, ushtarake, politike, ekonomike dhe tregtare, si dhe në turizëm, ashtu si edhe konsultimet dhe vendimet tona, do të jenë të dobishme".

AA