Themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, për të cilin është marrë vendim i ekstradimit nga Shqipëria në Türkiye, nesër do të dërgohet në Türkiye.
Sipas informacionit që Anadolu ka marrë nga Ministria turke e Drejtësisë, procesi ndaj Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për veprat penale "mashtrim duke përdorur si mjet sistemet teknologjike, bankat ose institucionet e kredisë dhe formim të organizatës me qëllim kryerjen e krimit", ka ardhur në fazën përfundimtare.
Me kërkesën e Ministrisë turke të Drejtësisë, Özer ishte arrestuar përkohësisht në Shqipëri ku ai ishte arratisur. Drejtoria e Përgjithshme e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Bashkimi Evropian pranë ministrisë turke kishte kërkuar ekstradimin e Özerit.
Gjithashtu, edhe ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdağ, në një bisedë telefonike me homologun e tij shqiptar, Ulsi Manja, e kishte trajtuar çështjen ekstradimit.
Pasi gjykatat e larta miratuan vendimin e autoriteteve gjyqësore shqiptare për "ekstradimin e Özerit në Türkiye", është ndërmarrë masë për ekstradimin e Özerit në Türkiye.
Së fundmi, Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur mospranimin e ankesës të paraqitur nga themeluesi i platformës Thodex, Özer, i cili kundërshtonte vendimin që lejon ekstradimin e tij në shtetin turk.
Procesi i ekstradimit
Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht 2022 në Shqipëri.
Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mosqasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe pasi pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.
Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.
Gjithashtu, ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.