Çështja mbi ekstradimin në Türkiye të themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, ka kaluar në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, çështja në fjalë është regjistruar zyrtarisht më 13 mars, ku Özer ka paraqitur rekurs, duke kundërshtuar vendimet që lejojnë ekstradimin e tij në shtetin turk.
Sipas gjykatës, pas shqyrtimit të ankesës në fjalë do të bëhet shpallja e vendimit në ditët në vijim. Pas përfundimit të procesit në Gjykatën e Lartë, për ekstradimin vendos ministri i Drejtësisë i Shqipërisë.
Kujtojmë se më 17 nëntor 2022, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan vendosi pro lejimit të ekstradimit në Türkiye të Özer, vendim i cili u apelua.
Gjykata e Apelit Durrës ka lënë më në fuqi më 30 dhjetor 2022 vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, që lejon ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk, Özer.
Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë dhe në apel ka përfunduar procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.
Çështja ndaj Faruk Fatih Özer
Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht 2022 në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".
Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mosqasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe pasi pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.
Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.
Gjithashtu, ndaj Özerit më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.