Miratohet pr/buxheti i vitit 2025 për Shqipërinë, në parim me 75 vota pro        Foto: ATA

Është miratuar me 75 vota pro projektbuxheti i vitit 2025, pas 48 orë diskutimesh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

40 vota ishin kundër këtij buxheti, ndërsa 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.

Buxheti i vitit 2025 është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8,2 miliardë euro.

Sipas parashikimeve, rritja ekonomike pritet të jetë 3,9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Turizmi po ashtu do të ketë një rol të rëndësishëm.

Borxhi Publik pritet të reduktohet nga 55,8% të PBB-së nga 56,3% dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3,6% të PBB-së.

Parashikohet që në fund të vitit 2024 norma e papunësisë të arrijë në 10,2%, ndërsa në vitin 2025 të zbresë në 9,8% të forcës aktive të punës.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 7,68 miliardë euro (754,6 miliardë lekë) ose 28,8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 413,6 milionë euro (40,6 miliardë lekë) më shumë.

Parashikimet e shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 8,38 miliardë euro (822,7 miliardë lekë) ose 31,4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 523,7 milionë euro (51,4 miliardë lekë), krahasuar me planin e vitit 2024.

Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6,2%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE-së.

Po ashtu, shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 18,8 milionë euro (1,85 miliardë lekë), të fokusuara te nxitja e punësimit, ujësjellës-kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore etj.

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025 parashikohet në masën 1,95 milionë euro (192,3 miliardë lekë) ose 7,3% e PBB-së. Investimet publike pritet të jenë në masën 6,2% e PBB-së, ose 1,6 miliardë euro (161,8 miliardë lekë), duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 45,8 milionë euro (4,5 miliardë lekë) financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE-në. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 112 milionë euro (11 miliardë lekë) më shumë.

Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban janë korridori i 8 nga Elbasan në Lekaj; bajpasi i Elbasanit; zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës arteria me e rëndësishme industriale e vendit; rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa; Berat–Ballaban; korridori 8 nga Elbasani në Qafë Thanë; projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 115 milionë eurosh (11,3 miliardë lekë); projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 186,4 milionë euro (17,6 miliardë lekë).

ATA