Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar firmosjen e një letre dedikuar të gjithë lidershipave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës lidhur me rishqyrtimin e raporteve të pavërteta dhe akuzave të rënda, siç thotë ai, mbi UÇK-në në veçanti, e mbi kombin shqiptar në përgjithësi.
Kjo letër e tij vjen vetëm 1 javë pas fjalimit të tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës (KE).
Rama në letrën e tij kërkon nga KE-ja që të heqin njollën e turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi shqiptarët, dhe rrjedhimisht me këtë edhe mbi vetë Këshillin e Evropës.
Sipas Ramës, do të duhej të mjaftonin mohimet e akuzave me forcë në Shqipëri, Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit që çështja të mbyllej aty ku kishte nisur, në faqet e një trillimi joletrar të prokurores Carla Del Ponte, ku pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime të tmerrshme, përfshirë këtu edhe trafikimin e organeve njerëzore.
Përkundrazi, ajo u çua më tej nga të tjerë, konkretisht nga anëtarët e partisë “Rusia e Bashkuar” e Putinit në Këshillin e Europës, të cilët e instrumentalizuan atë për të ushqyer më tej narrativën ruse mbi Kosovën.
Më pas, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës iu paraqit një raport (sërish, në mungesë provash). Nisur nga raporti dhe serioziteti i akuzave, në janar 2011, Asambleja miratoi rezolutën 1782, titulluar “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”.
“Njëmbëdhjetë vjet më vonë, të gjitha përpjekjet për hetime të bëra qysh atëherë, kombëtarisht, në rajon a ndërkombëtarisht, për të provuar pretendimet për trafikimin e organeve njerëzore, ia kanë dalë të vërtetojnë atë që dihej: nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Rama në letrën e tij.
Për më tepër, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë, sipas Ramës, nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore.
“Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare”, kështu thuhet në letrën e Ramës.
Më 12 tetor 2022, i paraqita këto argumente përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për t’i bërë thirrje për hartimin e një raporti vijues.
Kryeministri Rama para një javësh, në fjalimin e tij përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka bërë thirrje për hartimin e një raporti vijues. Këtë kërkesë e ka paraqitur edhe në letrën e tij.
“Shpresoj në mbështetjen tuaj personale dhe atë të anëtarëve të delegacionit të vendit tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për miratimin e kërkesës sonë, për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues, si korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të na përndjekin”, ka shkruar Rama.