Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel     Foto: Edi Rama / Facebook

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Bruksel, në kuadër të Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian (BE), ndërkohë në lidhje me veton bullgare ka deklaruar se nuk pret të zgjidhet asgjë në Bullgari.
Në një prononcim për mediat përpara mbajtjes së samitit në Bruksel, Rama ka folur në lidhje me pritshmëritë për veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE dhe nismën "Ballkani i Hapur".
"Unë ua kam thënë dhe po e përsëris, përkundër optimizmit të ngutur të disave dhe këtu në Bruksel, nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por ndërkohë sigurisht nëse do të zgjidhet do jetë një motiv për të marre frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s, në kulmin e një lufte të nxehtë në kufij të Evropës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjera", tha Rama.

Duke iu referuar vetos bullgare, Rama tha se një vend i NATO-s "rrëmben" dy vende të tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nën mbikëqyrjen e vendeve të BE-së, që sipas tij qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence.
Rama theksoi se nisma "Ballkani i Hapur" është përgjigja e vërtetë në këtë situatë dhe sipas tij "shpirti evropian do të krijohet në rajonin tonë".
Ndërkohë, pas mbërritjes në Bruksel, Rama ka publikuar në rrjetet sociale edhe një foto me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Rama do të ketë takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe është paralajmëruar edhe një konferencë e përbashkët për mediat e kryeministrit Rama, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

AA