Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ka marrë pjesë në një panel diskutimi për kërcënimet e sigurisë kibernetike.
Duke folur para të pranishmëve, ai përmendi sulmin kibernetik nga Irani të cilin Shqipëria e përjetoi vitin e kaluar.
“Ne ende jemi nën sulme, praktikisht ditë pas dite. Në njëfarë mënyre bekimi i teknologjisë na bëri të shohim edhe anën tjetër që është mallikimi i teknologjisë. Megjithatë, edhe pse nuk kemi një siguri kibernetike të fjalës së fundit, ne arritëm të shmangim zhdukjen e tërësore të sistemeve që kishim dhe praktikisht shmang;m humbjen e të dhënave”, tha Rama.
Rezitenca ndaj agresorëve siç u shpreh Rama, ka qenë e mirë.
“Bazuar në raportin që ishte tërësisht autonom dhe i pavarur nga qeveria shqiptare, ishte e qartë se autorët e sulmit kishin synime fundore fshirjen e plotë të sistemeve tona dhe të na kthejnë në kohën e letrës, në kohën e gurit”, deklaroi kryeministri Rama.
Mes të tjerash, ai tha se në qoftë se krimi kibernetik do të ishte shtet, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe në botë pas ShBA-së dhe Kinës.
Ndryshe, Rama theksoi në 6-7 vitet e fundit Shqipëria ka arritur të bëhet një vend me 95 për qind të shërbimeve të veta publike tërësisht onlajn.
Në korrik dhe shtator të vitit 2022, autoritetet shqiptare konfirmuan se ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik. Sipas autoriteteve, "agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit".
Në shtator të vitit të kaluar, Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin si "kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë".