Rama në Samitin e Bled-it, skeptik për anëtarësim në BE deri në 2030 / Photo: ATA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në panelin e liderëve në Forumin Strategjik të Bledi në Slloveni, nënvizoi sot domosdoshmërinë e mbështetjes konsistente të Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor, jo vetëm nga pikëpamja financiare por edhe nga pikëpamja e aksesit të këtyre vendeve në tregun e përbashkët.

Kryeministri Rama u shpreh se është “tragjikisht shumë optimist” për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri theksoi se do të ishte shumë mirë nëse do të realizoheshin disa hapa progresivë në drejtim të planit të ri të financimit të Ballkanit Perëndimor.

“Është momenti për të thënë se nëse ajo gjë që Charles tha sot do të materializohej, për sa i përket disa hapave progresivë, jo sepse besoj se në 2030 ne do të jemi në BE me thënë të drejtën, por të paktën në disa prej hapave, kjo do të ishte shumë e mirë. Sepse teksa ne po flasim për konvegjencën me BE-në, të gjithë duhet ta kuptojnë se boshllëku i kontributeve për frymë i BE-së drejt këtij rajoni dhe sheteve të Ballkanit Perëndimor është diçka si 130 e ca euro për 6 prej nesh këtu dhe më shumë se 4 mijë euro për dy prej nesh këtu dhe të tjerë”, tha Rama.

Rama theksoi se kjo duhet kuptuar dhe duhet zgjidhur me disa hapa konkretë.

Forumi Strategjik i Bledit është një platformë globale gjithëpërfshirëse për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj, duke ofruar pikëpamje dhe zgjidhje strategjike për çështjet më urgjente të së sotmes dhe të së nesërmes, të cilat promovohen përmes eventeve të ndryshme, diskutimeve, tryezave të rrumbullakëta, projekteve, analizave dhe publikimeve.

Ngjarja e saj qendrore vjetore – konferenca ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bledit – është konferenca kryesore në Evropën Qendrore dhe Juglindore, e cila këtë vit ka si temë “Solidaritet për Sigurinë Globale”.

Krahas kryeministrit Rama, në Panelin e Liderëve, morën pjesë edhe homologët e tij nga rajoni.


TRT Balkan / agjencitë