Rama nga Japonia: Asnjë nuk duhet ta imagjinojë të luajë me armë bërthamore

Rama nga Japonia: Asnjë nuk duhet ta imagjinojë të luajë me armë bërthamore

Këtë deklaratë kryeministri shqiptar e dha pas vizitës së Muzeut të Paqes në Hiroshima.
Rama nga Japonia: Asnjë nuk duhet ta imagjinojë të luajë me armë bërthamore. / Photo: Edi Rama (facebook)

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot parkun dhe muzeun përkujtimor të paqes në Hiroshima, Japoni.

Në një prononcim për mediet, Kryeministri e konsideroi një përvojë të mahnitshme vizitën në Japoni dhe mundësinë për të njohur nga afër njerëzit e mrekullueshëm të këtij vendi.

“Por, përtej çdo gjëje të bukur të vizitës sime këtu së bashku me bashkëshorten dhe djalin tonë 8-vjeçar, kjo është pika kulmore e vizitës në Japoni, sepse është një përvojë e veçantë e njerëzimit dhe për njerëzimin. Dhe unë dëshiroj shumë që kjo përvojë të na shërbejë si një mësim. Asnjë nuk duhet as ta imagjinojë të luajë me armët bërthamore, ashtu siç luan me lodrat e fëmijëve. Dhe nuk duhet as të ketë kërcënime ndaj qytetërimit tonë me bomba bërthamore”, tha Rama.

Kryeministri tha se ndihet i nderuar që viziton këtë vend që ka vuajtur, ka ndier dhembje dhe që ka një histori unike.

“Unë do të dëshiroja që të gjithë njerëzit e kësaj bote të mund të vinin dhe ta vizitonin këtë vend. Kjo sepse është diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë dhe me siguri ka më shumë se një mijë faqe mësim historie”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “kishte shumë njerëz që menduan se pushtimi i Ukrainës do të bëhej brenda një jave”.

“Por, ja ku jemi, pas një viti rezistence heroike të popullit të Ukrainës. Falë edhe mbështetjes së botës demokratike, jo vetëm që Ukraina nuk u pushtua, por është bërë e qartë se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai.

TRT Balkan / agjencitë