Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në llogarinë e tij në Twitter ka reaguar për incidentin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, ku u sulmua kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe erdhi deri te përleshja fizike mes deputetëve të opozitës dhe funksionarëve qeveritarë.
Sipas Ramës, incidentet e tilla i bëjnë dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë sesa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!”, shkroi Rama.
Ai uroi që opozita në Kosovë të distancohet nga sjelljet e turpshme që ndodhën sot në Kuvendin e Republikës.
“Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, shkruan kryeministri i Shqipërisë.