Rama: Procesi ndaj ish-agjentit të FBI-së nuk ka lidhje me Qeverinë tonë.   / Foto: AA

Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur debati parlamentar në lidhje me kërkesën e deputetëve të opozitës mbi çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Një grup deputetësh të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), kishin kërkuar interpelancë dhe mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama, pasi e akuzojnë kryeministrin Rama për lidhje dhe korrupsion me ish-agjentin e FBI-së.

Deputetët e opozitës kërkuan shpjegime nga Rama për pretendimet në media të ndryshme për takimet e Ramës me ish-agjentin e FBI-së, sipas tyre nëse kanë qenë takime private apo zyrtare.

Duke iu referuar akuzave të opozitës dhe kërkesës për debat, Rama theksoi gjatë fjalës në seancë se është një përpjekjeje e dëshpëruar për të shfrytëzuar sipas tij politikisht një proces gjyqësor në ShBA.

Duke iu referuar procesit në ShBA ndaj McGonigal, Rama tha se "s’ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me Qeverinë e Shqipërisë ose me mua personalisht".

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, tha se ajo se çfarë ka kërkuar grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka qenë një interpelancë që do të thotë sipas tij që "kryeministri i vendit të vijë para parlamentit dhe t'u flasë shqiptarëve për atë që di, çfarë ka bërë, dhe për reagimin që do të duhet të mbajë ai në postin e kryeministrit, jo të shtetasit Edi Rama".

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, tha se është e pashembullt në histori, që një vend partner "të korruptojë kryezbuluesin e një vendi që udhëheq botën e lirë, që udhëheq NATO-n".

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha tha: "Përdorët McGonigal për të certifikuar, për të mbyllur vjedhjet tuaj, për të sulmuar antikorrupsionin në Shqipëri, ata që ditë e natë denoncojnë krimin".

Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), Taulant Balla tha se "çështja McGonigal, nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, as me qeverinë, as me kryeministrin".

Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, aktualisht është nën hetim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për akuzat për fshehje të të ardhurave, deklarime të rreme dhe falsifikim dokumentesh ose të dhënash. Deputetët e opozitës akuzojnë kryeministrin Rama për lidhje dhe korrupsion me McGonigal, ndërkohë kanë kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje.

TRT Balkan / agjencitë