Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Elsa Dhuli bëri të ditur sot në konferencën e organizuar sot të publikuar të dhënat e dala nga Censi 2023 se Censi i popullsisë dhe banesave është një fotografi e çastit, që i referohet mesnatës së datës 17- 18 shtator 2023, të organizuar nga Instituti i Statistikave.
“Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme”, deklaroi Dhuli.
Sipas Dhulit, ky proces është mjaft i rëndësishëm për shkak se ofron informacion thelbësor për matjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm, për tu integruar përmes statistikave zyrtare si një domosdoshmëri dhe gjuhë e përbashkët për matjen e progresit të çdo vendi në familjen e madhe europiane.
Gjatë konferencës Dhuli vuri në dukje se kryerja e regjistrimit të popullsisë plotësoi një nga kushtet për hapjen e negociatave, rezultate të cilat do të përdoren për të siguruar statistika të nevojshme, si pjesë e Sistemit Statistikor Evropian në të ardhmen.
Këto të dhënat janë një e mirë publike, dhe ju ofrohen hartuesve të politikave, vendimmarrëseve, studiuesve, bizneseve, për ti përdorur për planifikimin zhvillimor, analizën e dukurive demografike, sociale, ekonomike dhe mjedisore, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe zbatimin e tyre në praktikë në dobi të shoqërisë sonë, shtoi më tej drejtoresha e INSTAT-it.
Për Dhulin, ky regjistrim ka siguruar të dhëna të vlefshme për të informuar politikbërjen dhe hartuar strategji kombëtare.
Ndërkaq, ajo tha se nuk do të mjaftohej me rezultatet që do të ndahen sot, pasi puna dhe angazhimi i INSTAT do të vijojë për sigurimin e informacioneve të detajuara, në nivel qarku, bashkie apo njësie më të vogël gjeografike.