Shqipëri, zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit / Photo: AA

Në Shqipëri po mbahet Konferenca e 15-të Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit (ICIC), ku në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së hapjes theksoi se e drejta për informim nuk është thjeshtë një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale.

Rama tregoi se është i kënaqur me përparimin që kanë bërë autoritetet shqiptare në Indeksin e Transparencës 2023 nga zyra e Komisonerit për të Drejtën e Informimit.

"E drejta për informim përballet me një kërcënim të madh në të njëjtën kohë kur kemi në dispozicion një mundësi të jashtëzakonshme, kështu që na takon ne ta përdorim sa më mirë, të vijojmë të investojmë në infrastrukturën digjitale dhe në programet e edukimit për t'u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje të përdorin me efektivitet platformat digjitale", tha ndër të tjerash Rama.

Komisari për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shqipërisë, Besnik Dervishi, në një fjalim të mbajtur gjatë ceremonisë u shpreh se duke pasur parasysh transformim e shoqërisë dhe teknologjinë moderne, si inteligjencën artificiale, "kemi privilegjin të kemi akses të menjëhershëm në të dhënat publike dhe informacionin publik".

Dervishi nënvizoi po ashtu se media, shoqëria civile, akademia dhe të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës.

Konferenca organizohet nga Zyra e Komisarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shqipërisë dhe ka si qëllim nxitjen e kulturës së transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike.

Tema qendrore e konferencës është "Fuqizimi i individëve nëpërmjet aksesit në informacion, sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirës në një botë të ndërlidhur", sipas organizatorëve.

Konferenca pritet të zgjasë tri ditë, nga ku marrin pjesë dhjetëra delegacione nga shtete dhe organizata ndërkombëtare.

AA