Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, deklaroi sot se Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2024” u organizua në një stad të ri dhe të rëndësishëm.
Hasani veçoi dy momente të rëndësishme që janë anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe agjenda 2030 dhe momenti i mirë i vendit në turizëm e ekonomi. Sipas tij, këto kërkojnë që edhe angazhimi i përfaqësuesve tanë nëpër botë të jetë maksimale.
Hasani tha se Shqipëria është në fazën përgatitëse për organizmin e Samitit të NATO-s në 2027-ën në Tiranë.
“Logjika është që vitin e ardhshëm, samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Holandë, dy vjet më pas në Türkiye dhe në 2027-ën është Tirana që do ta mirëpresë këtë event të rëndësishëm”, informoi ai.
“Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve, gjithë burimet e nevojshme që bëjnë këtë të mundur dhe padyshim që një angazhim i tillë, përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka, tregon dhe një herë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në të gjithë përpjekjen e organizatës së Atlantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit”, tha Hasani.
Ministri Hasani theksoi se në vitin 2025 do të mbahet në Tiranë mbledhja e Komunitetit Politik Evropian.
“Formula është që Komuniteti Politik Evropian mblidhet 2 herë në vit, një herë në një vend të BE-së, një herë në një vend jo të BE-së. Mbledhja e radhës u zhvillua në Mbretërinë e Bashkuar, në fund të vitit do të zhvillohet në Hungari dhe vitin tjetër do të vijë në Shqipëri”, tha Hasani.
“Janë të gjithë këto formate të cilat neve na bëjnë më të përgjegjshëm në të gjithë angazhimet që ne marrim. Më të drejtpërdrejtë në nevojat që kemi dhe në kërkesat që bëjmë, por dhe rrisim vizibilitetin dhe rëndësinë e rajonit nga ne vijmë. Pra nuk është vetëm një përpjekje dhe një angazhim i Shqipërisë, por ne përpiqemi t’i japim vizibilitetin e nevojshëm të gjithë rajonit ku ne jemi”, tha Hasani.