Shqipëria regjistron rritje të importit nga Türkiye / Photo: ATA

Türkiye vijon të jetë një ndër partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka regjistruar mbi 111 milionë euro rritje vjetore të importit nga Türkiye.

Në një raport të publikuar së fundmi në lidhje me tregtinë e jashtme, Instituti i Statistikave njoftoi se për periudhën janar-shtator shkëmbimet tregtare me Türkiyen kanë zënë 8,1 % të vëllimit, duke e rënditur shtetin turk si partnerin e tretë tregtar më të rëndësishëm në Shqipëri.

Vetëm në 9-mujorin e këtij viti, shkëmbimet tregtare me Türkiyen kanë arritur vlerën e 777 milionë eurove (76,6 miliardë lekë).

Referuar të dhënave për periudhën janar-shtator eksportet shqiptare drejt Türkiyes llogariten 30,5 milionë euro (3 miliardë lekë), në të njëjtin nivel me një vit më parë, ndërsa importet për periudhën 9-mujore llogariten mbi 747 milionë euro (73,6 miliardë lekë).

Nga Türkiye, janë importuar 221,4 milionë euro (21,8 miliardë lekë) materiale ndërtimi dhe metale, si dhe 88,37 milionë euro (8,7 miliardë lekë) tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet 92,43 milion euro (9,1 miliardë lekë).

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Türkiyen, të nënshkruar në 2006-n, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Türkiyes, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.

Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.

TRT Balkan