Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, do të jetë 8,5 cent për kilovat (pa TVSh). Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovatë, çmimi do të jetë 9,5 centë për kilovat (pa TVSh).
Aktualisht çmimi i energjisë për abonentët familjarë është 9,5 cent për kilovat pa TVSh, ndërsa me TVSh arrin në 11,4 cent.
Ky vendim hyn në fuqi për periudhën 1 shkurt deri në 31 dhjetor 2025.
Kreu i shtetit shqiptar Edi Rama e cilësoi këtë ulje si një arritje që është nga më domethënëset, duke u shprehur se kjo është ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike.
Në një konferencë për shtyp së bashku me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, për çmimin e ri të energjisë elektrike, Rama tha se, “ky është një fakt i cili na mbush patjetër me shumë krenari, po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë”.
Nga ana tjetër, Rama shtoi se, “po të marrim parasysh se ulja e çmimit të energjisë elektrike në kohën e sotme është në kundërtendencë të plotë me rajonin dhe me kontinentin ku jetojmë, ku çmimet e energjisë elektrike jo vetëm janë rritur në përgjithësi, por janë të kërcënuar nga rritje të tjera”.
Natyrisht, shtoi Rama, “kjo masë, është një masë më shumë sesa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare.”
Ndërkaq, Kreu i qeverisë premtoi se brenda mandatit të katërt synohet që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë.