Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka realizuar një vizitë pune në Shqipëri, me ftesë të presidentit Bajram Begaj. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, zhvilluan një vizitë në Pustec, ku edhe jeton pakica maqedonase në Shqipëri. Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, gjatë qëndrimit në Pustec, Begaj dhe Pendarovski patën edhe një takim dypalësh, "të fokusuar në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve". Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj në një prononcim për mediat u shpreh: “Është kënaqësi për mua që të mirëpres Presidentin e Maqedonisë së Veriut, mikun tim Pendarovski, bashkë me Zonjën e Parë në këtë vizitë, në Bashkinë e Pustecit. Jo pa qëllim zgjodhëm Bashkinë e Pustecit për të treguar që marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë marrëdhënie të dy vendeve mike, të dy vendeve partnere të NATO-s, vende të cilat kanë një rrugëtim të përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”. Begaj ka theksuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe minoriteti maqedonas në Bashkinë e Pustecit janë të rëndësishëm në marrëdhënien midis dy vendeve. I pyetur për “Ballkanin e Hapur”, Presidenti Begaj tha: “Pa dyshim, si çdo iniciativë tjetër rajonale, është i mirë. Vendimmarrësit ekzekutivë politikë e mendojnë për vazhdimin e një iniciative ose jo”. Duke folur për nismën “Ballkani i Hapur”, Pendarovski tha se “Ballkani i Hapur që nga fillimi dhe deri më tani është që të jetë një bashkëpunim rajonal midis shteteve të Ballkanit”. "Ekzistojnë mbi 50 iniciativa të cilat krijojnë kushte të përshtatshme për bashkëpunim midis popujve. Ballkani i Hapur ka qenë një prej atyre iniciativave dhe shpresoj që në një format të tillë të vazhdojë dhe të funksionojë", tha ai. Pendarovski deklaroi se vendet që janë pjesë e "Ballkanit të Hapur" e kanë të qartë se çadër për të gjitha iniciativat është Procesi i Berlinit dhe, sipas tij, Procesi i Berlinit ka marrëdhënie strukturore shumë më të sakta se “Ballkani i Hapur”. Begaj dhe Pendarovski gjatë vizitës kanë marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera.
23 Kor 2023
Begaj mirëpret Pendarovskin në Pustec të Shqipërisë
Begaj ka theksuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe minoriteti maqedonas në Bashkinë e Pustecit janë të rëndësishëm në marrëdhënien midis dy vendeve.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Kompania turke e mbrojtjes “ASELSAN” hap selinë e saj në Ballkan
“Kjo zyrë është hapur këtu në një lokacion që do të mund të arrijë në çdo vend të këtij rajoni, që ne e quajmë Ballkan, për të rritur cilësinë e shërbimeve që do të ofrohen.” tha Presidenti i Industrive Turke të Mbrojtjes Haluk Görgün.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore