Kosova vlerësohet me notë të ulët në kujdesin ndaj fëmijëve / Photo: AA

Kosova është vlerësuar ulët, me notë mesatare 2,35, në kujdesin ndaj fëmijëve sipas raportit të parë të monitorimit "Karta e Vlerësimit" – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve?, të bërë nga koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF.

Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, agjencive ndërkombëtare, organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.

Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë.

Sa i përket mirëqenies sociale, Kosova është vlerësuar në raport me notë 2,6 për arsye se transferet sociale kanë ndikim shumë të kufizuar në uljen e varfërisë së fëmijëve dhe familjeve dhe për shkak të financimit të paqëndrueshëm "që rrezikon mbylljen ose uljen e cilësisë së shumë shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet".

Mbrojtja e fëmijëve është vlerësuar me notë 2,5, për shkak të mungesës së shërbimeve parandaluese dhe shërbimeve për riintegrim afatgjatë për fëmijët, sistemit të fragmentuar të mbrojtjes së fëmijëve, e të tjera.

Sa i përket shëndetit të fëmijëve, është vlerësuar me notë 2,25 dhe në këtë aspekt problem është gjetur mungesa e të dhënave statistikore lidhur me numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, numrin e fëmijëve që konsumojnë duhan, alkool dhe numrin e fëmijëve përdorues të drogave. Po ashtu, mungesa e barnave në kujdesin parësor, sekondar dhe terciar shëndetësor, është gjetur si problem.

Zhvillimi në fëmijëri të hershme është vlerësuar po ashtu me notë të dobët 2,25 për shkak të përfshirjes së ulët të fëmijëve në edukimin parashkollor dhe kapaciteteve të vogla të institucioneve parashkollore.

Arsimi është vlerësuar me notë 2,5 për shkak të siç është thënë në raport "cilësisë së ulët të arsimit në Kosovë", përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla në mënyrë jo kuptimplote dhe jo të bazuar në nevoja individuale si dhe mungesë e stafit profesional.

Gjithashtu, drejtësia për të miturit është vlerësuar me notën më të ulët nga të gjitha kategoritë, me 2,0 për shkak të "mungesës së shërbimeve për parandalimin dhe mbrojtjen e të miturve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale, rënies së theksuar e zbatimit të masave të diversitetit në sistemin e drejtësisë për të mitur", e të tjera.

Raporti është hartuar nga 24 bashkautorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF-it, të cilët kanë ofruar vlerësimin e fushave përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë.

AA