Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të zgjerojnë “listën e zezë” me politikanë të Ballkanit Perëndimor. Departamenti Amerikan i Shtetit ka sanksionuar këtë javë kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, një politikan shqiptar në Maqedoninë e Veriut nga partia BDI e Ali Ahmetit, duke e shpallur atë dhe familjen e tij “non grata”.
Vendimi, sipas komunikatës së DASh-it, vjen për shkak të përfshirjes së Merkos në korrupsion, shpërdorim të fondeve dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore dhe të tjera publike.
ShBA-ja, që nga fillimi i viteve të 2000-ta, ka përgatitur lista me persona të padëshirueshëm nga Ballkani Perëndimor, të cilën bëjnë pjesë në jetën publike. Kriteret për krijimin e listave variojnë gjatë viteve. Disa prej të përfshirëve janë shpallur të rrezikshëm për sigurinë e ShBA-së, disa të tjerë janë sanksionuar për shkak të përpjekjeve për destabilizimin e shteteve të Ballkanit, ndërsa së fundmi fokusi përqendrohet te korrupsioni i lartë politik.
Akti Magnitsky
Akti Magnitsky i Qeverisë amerikane lejon synimin e personave jorezidentë të cilët janë të përfshirë në korrupsion të lartë politik dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Akti në fuqi nga viti 2012 fillimisht sanksionoi një grup njerëzish nga Federata Ruse, përgjegjës për torturimin dhe vdekjen e ekspertit rus të taksave, Sergei Magnitsky, pasi zbuloi një skemë të madhe korruptive që përfshin anëtarë të qeverisë ruse. Magnitsky u arrestua, u torturua dhe vdiq në burg pas zbulimit të aferës në Rusi.
Nga viti 2016, Kongresi Amerikan miratoi Aktin Global “Magnitsky”, i cili lejon sanksionimin e personave nga çdo pjesë e botës me dyshime të forta për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Sanksionimet janë kryesisht ekonomike, pra ngrirjen e financave dhe pronave që zotërojnë në ShBA dhe ndalesë për hyrje në territor amerikan.
Politikanë të fuqishëm me vulë të zezë amerikane
Bazuar në Aktin Magnitsky, ShBA në vitin 2022 sanksionoi ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski, ish-shefin e kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut Sasho Mijallkov, politikanin Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi nga Shqipëria, ish-presidentin e shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi Svetozar Maroviq, si dhe kryeprokuroren e Bosnjë e Hercegovinës Gordana Tadiq dhe deputetin boshnjak Asim Sarajliq.
Në vitin 2021, ShBA-ja shpalli person “non grata” ish-kryeministrin e Shqipërisë dhe deputet aktual në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berishën dhe familjen e tij, për përfshirje në korrupsion të rëndë.
Më herët, ShBA-ja ka sanksionuar edhe shumë politikanë të tjerë nga Ballkani për arsye të ndryshme, kryesisht për arsye të sigurisë. Ndër ta janë Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Haradin Balaj, Fatmir Limaj, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Emrush Xhemajli nga Kosova.
Nga Maqedonia e Veriut janë Menduh Thaçi, Gafur Adili dhe Nuri Bexheti, ndërsa prej më herët pjesë e saj kanë qenë edhe Xhemail Hyseini, Nevzat Halili, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Daut Rexhepi dhe të tjerë.
Pjesë e sanksioneve të ShBA-së ka qenë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, por u largua nga lista në vitin 2003 me vendim të ish-presidentit amerikan George Bush. Bashkë me të nga kjo listë u larguan edhe Fazli Veliu dhe Hysni Shaqiri, në atë kohë gjithashtu politikanë aktivë.
Përfshirja në listën e zezë amerikane ka lënë gjurmë të pashlyeshme në karrierën e disa prej politikanëve të Ballkanit. Megjithatë, disa të tjerë kanë vazhduar të jenë pjesë e jetës publike dhe pjesë e institucioneve me dekada pas përfshirjes në këto lista.