Regjistrimi i popullsisë është proces i rregullt statistikor që kryhet nga shteti, me qëllim grumbullimin e të dhënave dhe planifikimin strategjik në të gjitha fushat.
Por, në vendet multietnike të Ballkanit ky proces shpesh politizohet dhe tejkalon rëndësinë statistikore.
Problematizimet politike kanë shkaktuar vonesa, anulime e përplasje politike në disa vende në dekadat e fundit.
Shtyhet regjistrimi i popullsisë në Kosovë
Kosova planifikonte të nisë procesin e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator, por procesi u shty për dy muaj për shkak të vonesës në planifikimin e detajeve nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Megjithatë, në arsyetimin e vendimit në seancën e Qeverisë, kryeministri Kurti njoftoi se kishte edhe rezistencë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, brenda komisionit qendror të regjistrimit.
“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda komisionit qendror të regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra, dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet”, ka thënë Kurti në arsyetimin para marrjes së vendimit.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Regjistrimi në BeH nuk mbahet këtë vit
Bosnjë e Hercegovina, një shtet multietnik i përbërë nga 3 bashkësi më të mëdha etnike – boshnjakët, serbët dhe kroatët – gjithashtu duket se nuk do të mund të realizojë regjistrimin e popullsisë brenda afatit të parashikuar, në vitin 2023.
Regjistrimi i popullsisë rekomandohet të zhvillohet çdo 10 vjet, ndërsa i fundit në Bosnjë e Hercegovinë – dhe i vetmi pas luftës – është zhvilluar në vitin 2013. Sipas këtij regjistrimi, në Bosnjë e Hercegovinë kishte 3.531.159 banorë, boshnjakët ishin 50 për qind, serbët 30,8 për qind, kroatët 15,4 për qind dhe 3,7 për qind ishin të tjerë.
Në kuptimin politik, regjistrimi i popullsisë është i rëndësishëm, sepse në disa nivele të qeverisjes, për shembull në qeveritë dhe institucionet e entiteteve të Federatës së BeH-së dhe Republika Sërpska, numri i ministrave dhe punonjësve nga një grup i caktuar etnik (boshnjakët, kroatët, serbët dhe "Të tjerët") përcaktohet sipas numrit të tyre në regjistrimin e vitit 1991. Edhe për punësimin në agjencitë ushtarake dhe policore në nivel shtetëror merret për bazë përbërja etnike sipas regjistrimit.
Maqedonia e Veriut kryen regjistrimin pas dy dekadash
Maqedonia e Veriut kreu regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, 19 vjet pas regjistrimit të fundit të vitit 2002. Në vitin 2011 kishte filluar regjistrimi i popullsisë në afatin e rregullt, por u ndërpre për shkak të përplasjeve politike dhe mosbesimit mes dy bashkësive më të mëdha etnike në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve.
Shqiptarët përbëjnë rreth 1/4 të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe, sipas Kushtetutës, një pjesë e madhe e të drejtave etnike lidhen me numrat. Përdorimi i gjuhës shqipe në nivel zyrtar, përdorimi i flamurit etnik dhe një pjesë tjetër e të drejtave burojnë nga përqindja e shqiptarëve në shtet dhe në nivel lokal. Kushtetuta përkufizon se gjuhë zyrtare, përveç maqedonishtes, është edhe gjuha që flasin të paktën 20% të popullsisë, një prag që shqiptarët e tejkalojnë sipas disa regjistrimeve të fundit.
Regjistrimi në Serbi, shqiptarët iu rikthyen procesit
Serbia zhvilloi regjistrimin e popullsisë vitin e kaluar, ndërsa pakica shqiptare atje, e vendosur kryesisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, u rikthye në proces. Rezultatet treguan se në Serbi jetojnë 61.687 shqiptarë rezidentë.
Shqiptarët kishin bojkotuar procesin e parafundit të regjistrimit, atë të vitit 2011, për shkak se formularet dhe materialet e tjera ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe. Si pasojë e bojkotit, ata humbën disa të drejta që lidhen kryesisht me këshillin nacional.
Pas tri shtyrjeve, Shqipëria nis regjistrimin në shtator
Shqipëria pritet të fillojë procesin e regjistrimit të popullsisë më 18 shtator, pasi u shty tri herë rresht.
Shtyrjet e procesit në Shqipëri kishin më shumë arsye teknike. Në vitin 2020 u shty për shkak të pandemisë, në vitin 2021 për shkak të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa në vitin 2022 u shty për shkak të moskompletimit të përgatitjeve teknike.