Në Parlamentin e Malit të Zi ka filluar seanca e jashtëzakonshme ku do të votohet për mosbesim ndaj qeverisë.
Propozimin për mosbesimin e Qeverisë së Malit të Zi e kanë nënshkruar 32 deputetë të partive DPS, SDP, SD, DUA dhe Partisë Liberale. Për votë mosbesimi, nisma duhet të mbështetet nga 41 deputetë.
Partia Mali i Zi Demokratik tha se klubi i tyre i deputetëve, bazuar në diskutimet në parlament, qëndrimet e të gjithë aktorëve, atmosferën dhe argumentet e përgjithshme, do të marrë vendimin përfundimtar për nismën.
Udhëheqësi i Frontit Demokratik Andrija Mandiq dje deklaroi se kryeministri Dritan Abazoviq duhet të kishte filluar tashmë negociatat për rikonstruimin e qeverisë.
Këshilli i Partisë Boshnjake në seancën e djeshme ka autorizuar kryesinë e partisë që të marrë vendimin përfundimtar si përgjigje ndaj votimit të mosbesimit ndaj qeverisë.
Prava dhe Mali i Zi i Bashkuar njoftuan se do të votojnë mosbesimin ndaj qeverisë, ndërsa lideri i Demos-it, Miodrag Lekiq, ka thënë se partia me shumë mundësi do të abstenojë.
Në sqarimin e nismës, vlerësohet se kanë munguar rezultatet konkrete në realizimin e prioriteteve dhe se gjendja e ekonomisë malazeze dhe gjendja epidemiologjike në vend janë përkeqësuar edhe më shumë.
“Pavarësisht mbështetjes si kurrë më parë të fortë nga partnerët evropianë dhe konsensusit të gjerë socio-politik për domosdoshmërinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, vijimi i mëtejshëm i këtij procesi vihet në pikëpyetje”, thuhet në shpjegim.
Më tej thuhet se Abazoviq, duke injoruar pikëpamjet e institucioneve më të rëndësishme shkencore në vend, ekspertëve të shquar dhe organizatave të shoqërisë civile, duke injoruar me vetëdije pasojat e mundshme të veprimeve të tilla në situatën e përgjithshme në Mal të Zi, në plan të parë e vendosi çështjen e marrëdhënieve me kishën ortodokse serbe.
Abazoviq më herët deklaroi se nëse nuk votohet mosbesimi ndaj qeverisë, ai menjëherë do të fillojë rikonstruimin e saj, në të cilin nuk do të ketë vend për DPS dhe SDP.
Qeverisë së mëparshme, të kryesuar nga Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt iu votua mosbesimi në parlament.
Abazoviq: Ju ka shqetësuar fakti se jam shqiptar
Kryeministri aktual i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në fjalimin e tij në Kuvend, deputetëve të cilët e kanë iniciuar mosbesimin ndaj Qeverisë që ai e drejton, u tha se që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar].
"Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme", tha Abazoviq dhe shtoi se sot ndoshta bashkoheni të gjithë në urrejtje, por herën tjetër bashkohuni ne dashuri.
Ai i ftoi deputetët të flasim për gjëra reale jo halucinacione.
"Pres diskutimin dhe përpjekjen e sotme për të shpjeguar pse erdhi iniciativa për rrëzimin tim, kush është frymëzuesi dhe çfarë fshihet pas saj”, tha Abazoviq.
Abazoviq është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi më 28 prill, derisa mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë që drejton ai është thirrur pas marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.
19 Gus 2022
Kuvendi i Malit të Zi diskuton mosbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviq-it
Propozimin për mosbesimin e Qeverisë së Malit të Zi e kanë nënshkruar 32 deputetë të partive DPS, SDP, SD, DUA dhe Partisë Liberale.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.