22 Nëntori, momenti më i madh për gjuhën shqipe.     Foto: AA

Gjuha shqipe është gjuhë dhe degë e veçantë e familjes indo-evropiane që flitet nga rreth 7-10 milionë njerëz në botë, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe në zona të tjera të Evropës Juglindore ku ka një popullsi shqiptare, duke përfshirë Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Shqipja është gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe e Kosovës, si dhe gjuhë e dytë zyrtare në disa vendbanime në Maqedoninë e Veriut.

Kjo gjuhë ka dy dialekte: dialektin gegë, që është i shtrirë kryesisht në pjesën veriore të Shqipërisë, në Kosovë, në Serbi, në Mal të Zi, në pjesën veriore të Maqedonisë së Veriut; dialektin toskë, që është i shtrirë kryesisht në pjesën e mesme dhe jugore të Shqipërisë dhe në pjesën jugore të Maqedonisë së Veriut.

Nga gjashtë alfabete në një

Gjuha shqipe ka dokumentet e veta që datojnë që nga shekulli i pesëmbëdhjetë/gjashtëmbëdhjetë, përkatësisht Formula e Pagëzimit në vitin 1462, Fjalorthi i Arnold von Harfit në 1497 dhe Meshari i Gjon Buzukut në vitin 1555. Nga aspekti historik, s’do mend se kanë vlerën e vet. Megjithatë, gjuha shqipe deri para Kongresit të Manastirit, që u mbajt më 14-22 nëntor 1908, shkruhej në gjashtë shkrime të ndryshme, shtuar edhe nënvariantet e tyre.

Kongresi i Manastirit ishte tubim akademikësh të cilët deshën t’i japin fund laramanisë së shkrimit të saj. Pjesëmarrës ishin 50 veta prej 23 vendbanimesh ku jetonin shqiptarë, prej të cilëve 32 kishin të drejtë vote, kurse 18 të tjerët ishin vetëm vëzhgues të punimeve.

Përzgjedhja dhe renditja e 36 shkronjave që i kemi sot në abetare ishin dy pikat e vetme të rendit të ditës së asaj jave të nëntorit. Ky alfabet 36-shkronjësh numëron 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore, 2 zanore më shumë, përkatësisht rreth dhjetë bashkëtingëllore më shumë nga alfabeti latin, të cilat janë kryesisht në formë diftongjesh.

Parakusht për Kongresin e Drejtshkrimit

Kongresi i Manastirit i 22 nëntorit të vitit 1908 ishte parakushti më i madh që të ketë “lejesë” akademiko-shkencore që të mbahej Kongresi Famëmadh i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Pa pasur qenë përcaktuar alfabeti më parë, Kongresi ku do të kodifikohej Gramatika e shqipes nuk do të mundte të realizohej ashtu siç është sot.

Me fjalë të tjera, Kongresi i Manastirit shtroi rrugën për t’u mbajtur Kongresi i Drejtshkrimit. Kongresi i Drejtshkrimit përpiloi Leksikun dhe normat gramatikore të gjuhës shqipe, kurse këto të fundit – për këtë jubile gjysmëshekullor që po shënohet sivjet – po shërbejnë si pikë kthese për trungun shqiptar, i cili është i ndarë në tri fe, në dy dialekte, në dhjetëra nëndialekte e të folme krahinore, e po ashtu shërben edhe si parzmore ndaj globalizimit gjuhësor dhe jo vetëm.

Sfidat sot dhe përpara

Në teori, brenda kopertinave të abetareve dhe në gramatikat e shqipes – është betonuar numri tridhjetë e gjashtë i shkronjave ashtu si edhe renditja e tyre. Në anën tjetër, praktika shpeshherë po i shkakton lëkundje asaj teorie. Zanore që nuk po shqiptohen, bashkëtingëllore që nuk po shkruhen, bashkëtingëllore që po ngatërrohen me të tjera – këto janë vetëm disa nga “viruset” që po synojnë të rrënojnë “imunitetin” e asaj garde margaritarësh të betonuara para 114 vitesh.

TRT Balkan