Shkrimtari i burgosur palestinez, Basem Khandakji, fitoi çmimin e 17-të ndërkombëtar të Romanit Arab, i njohur si "Arabic Booker", çmimi kryesor letrar i botës arabe, me romanin e tij "Një maskë në ngjyrën e qiellit". Në deklaratën në faqen e internetit të Çmimit Ndërkombëtar të Romanit Arab thuhet se fituesi është shpallur në aktivitetin e mbajtur në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.
Në deklaratë thuhet se libri i Khandakji është zgjedhur si "romani më i mirë i botuar në periudhën korrik 2022-qershor 2023" mes 133 veprave. Thuhet se çmimin në emër të Khandakji e ka marrë Rana Idris, pronarja e Shtëpisë Botuese "Dar Al-Adab", ku është botuar romani.
Në deklaratën me shkrim të Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë bëhet e ditur se Khandakji është ndaluar në qytetin Nablus në veri të Bregut të pushtuar Perëndimor më 2 nëntor 2004 dhe është dënuar tri herë me burgim të përjetshëm.
Khandakji para se të burgosej ka studiuar në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin "En-Najah" në Nablus. Para se të burgosej gjatë kohës së qëndrimit në burg, Khandakji ka shkruar dy libra me poezi, shumë romane dhe 250 artikuj, ndërsa disa nga veprat e tij janë përkthyer në frëngjishte.
Pasi romani u nominua për Çmimin Ndërkombëtar për Romanin Arab, në mediat izraelite filloi një fushatë shpifjeje kundër librit. Romani i Khandakji i vlerësuar me çmime trajton përvojat e arkeologes Nur, e cila jeton në një kamp refugjatësh në Ramallah, duke u përzier me izraelitët dhe duke marrë pjesë në gërmimet arkeologjike.