Ishte viti 2013 kur filmi “HER” u shfaq në kinema... Ideja e krijimit të një raporti me softuer që thjesht të kupton?! Ishte diçka që në atë kohë të gjithë e dëshironim, pa e kuptuar që, vetëm pas një dekade, ChatGPT, do të ishte pjesë e përditshmërive tona, një mik virtuel me të cilin mund të flasim tema nga më të ndryshmet!
Pastaj … filmi “Truman Show” i vitit 1998 - një jetë ku je i vëzhguar, shikuar, regjistruar, e kontrolluar. Në atë kohë, të gjithë kemi qeshur me absurditetin! Dhe, pas pothuajse 30 vitesh, sot jetojmë me kamera kudo rreth nesh. Në hapësira publike, private, programet “reality”, jetët tona - pjesërisht të ekspozuara në mediat sociale…
Dhe, lind pyetja, po jetojmë të gjithë në versionet tona të Truman show?
Dhe, filmi 2001: A Space Odyssey i vitit 1968. Filmi revolucionar dhe vizionar i Stanley Kubrick dhe kjo sepse flet për zhvillimin e njerëzimit e deri te fluturimi në hapësirë me kompjuterin inteligjent, që më pas bëhet simboli i vendimmarrjes për astronautët.
Dukej aq e largët edhe e pamundur pas në 68tën… Sot?
Udhëtimi në hapësirë është plani i fundjavës i Elon Muskut.
Dhe kur jemi te Musk, robotët po vijnë në shtëpitë tona!
Musk po planifikon të mundësojë kolonizimin njerëzor të planetëve të tjera, me Starship që vepron si mjeti për ta bërë realitet udhëtimin ndërplanetar. Dhe jo vetëm kaq... 10 miliardë robotë humanoidë deri në vitin 2040 për t'i ndihmuar në detyrat e përditshme, si pastrimi, gatimi, përgatitja e pijeve, por edhe për të ndihmuar në mjedise industriale.
Nëse kthehemi pas në kohë, kush do të thoshte se kështu do dukej e ardhmja? Apo se, gjërat që dikur i kemi parë si filma, sot po i jetojmë. Dhe, s’mund e të mos pyetemi, a është fanta-shkenca ende një zhanër, apo është bota me të cilën zgjohemi çdo ditë?!