Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë importuar kafe në vlerë prej 10,6 miliardë euro vitin e kaluar.
Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) publikoi të dhënat për importet e kafesë në 27 shtete anëtare të BE-së për vitin 2023 me rastin e 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Kafes.
Sipas të dhënave të fundit, vendet anëtare të BE-së ndanë gjithsej 10,6 miliardë euro vitin e kaluar për gjithsej 2,7 milionë tonë kafe të importuara.
Vitin e kaluar anëtarët e BE-së kanë importuar më së shumti kafe nga Brazili, ku janë importuar 922 mijë tonë.
Më pas vjen Vietnami ku u importuan 652 mijë tonë, vijon Uganda me 206 mijë tonë, Hondurasi me 169 mijë tonë, India me 118 mijë tonë, Kolumbia me 113 mijë tonë, Peruja me 83 mijë tonë dhe Indonezia me 68 mijë tonë.
Gjermania importoi më shumë kafe, 911 mijë tonë, e ndjekur nga Italia me 625 mijë tonë, Belgjika me 278 mijë tonë, Spanja me 249 mijë tonë dhe Franca me 184 mijë tonë kafe.
Nga ana tjetër, vendet e BE-së prodhuan 2,3 milionë tonë kafe të pjekur në vitin 2023, me një vlerë totale prej 13 miliardë eurosh.
Çdo vit më 1 tetor, adhuruesit e kafesë në mbarë botën festojnë Ditën Ndërkombëtare të Kafes, e cila na kujton këtë pije të çmuar, por edhe rëndësinë e kohës së kaluar së bashku me njerëzit e dashur.
Në Ditën Ndërkombëtare të Kafes, Konsorciumi Italian për Promovimin e Kafes (CPC) njoftoi se rreth 3,1 miliardë filxhanë kafe pihen çdo ditë në botë.
Dita Ndërkombëtare e Kafesë është themeluar në vitin 2015.