DokuFest dje publikoi listën e plotë të filmave në gara për edicionin e tij të 22-të. Sipas organizatorëve janë 3.481 filma nga 111 vende nga e gjithë bota që u dorëzuan për shqyrtim, një rritje e madhe prej 22% nga viti i kaluar. Festivali do të shfaqë 104 filma në tetë seksionet e tij konkurruese, me një numër filmash që do të kenë premierat e tyre botërore, ndërkombëtare dhe evropiane, duke e bërë DokuFestin një pikënisje të rëndësishme në këtë pjesë të botës si për filmat e shkurtër dokumentarë, ashtu edhe për ato narrativë.
“Si çdo vit, jam plot gëzim kur shoh që DokuFest të rikthehet sërish me ritëm të plotë dhe me një tjetër program të jashtëzakonshëm filmash që do të vënë në pikëpyetje shumë gjëra, si vendin tonë në këtë botë dhe përgjegjësitë që marrim ose nuk marrim ndaj të tjerëve dhe drejt planetit në rrezik, si dhe marrëdhëniet tona gjithnjë në rritje me teknologjinë.” thotë Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i DokuFest.
“Jam gjithashtu i emocionuar që ka ardhur koha që unë dhe ekipi programues të ndajmë më në fund të gjithë ata filma për të cilët u kujdesëm kaq shumë për një kohë kaq të gjatë, filma që me siguri do të prekin, mahnitin dhe në disa raste edhe do të shokojnë audiencën, me vrazhdësinë dhe drejtpërdrejtësinë e tyre, do të thosha një dëshmi e pastër e fuqisë së filmit dokumentar në radhë të parë”.
Në ditët në vijim DokuFest do të vazhdojë me njoftimet e mëtejshme të programit, duke përfshirë shpalljen e temës së pritur me padurim, përzgjedhjen për seksionin shumë popullor View From the World, një program Vendi në Fokus, si dhe një mori programesh të tjera të kuruara posaçërisht, diskutime në panel, biseda, program për fëmijë, klasa master dhe akte muzikore që do të performojnë në festival.
DokuFest zhvillohet nga data 4 deri më 12 gusht në lokalet në gjithë qendrën historike të qytetit të Prizrenit, Kosovë, si dhe në ITP Prizren.