"Manifesta 14" shtegton nga Prishtina pas 100 ditësh prezencë.     Foto: AA

Edicioni i 14-të i Bienales Nomade Evropiane, Manifesta, ka mbajtur konferencën përmbyllëse pas gati 100 ditëve të këtij festivali në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

E ftuar nga Komuna e Prishtinës ky festival mbështeti ambicien e qytetarëve të Kosovës për të rikthyer dhe rivitalizuar 25 hapësira publike dhe për të ndihmuar në rishkrimin e të ardhmes së kryeqytetit të tyre.

Kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se Manifesta i dha jehonë kryeqytetit kosovar duke prezantuar artin e 105 pjesëmarrësve që vinin nga 30 vende të ndryshme, me pjesëmarrje falas nga vizitorët.

“Manifesta 14 investoi 1.7 milionë euro në prodhimtarinë artistike të sistemit kulturor kosovar dhe rajonal si investim direkt në sistemin kulturor”, theksoi Rama.

Ai tha se Manifesta pati mbi 150 mijë vizita në ambientet e saj të brendshme ndërsa në total ka pasur deri në 700 mijë shikues.

Zëvendës/ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Daulina Osmani tha se është shumë me rëndësi që arti po shërben si platformë kyçe për vendosjen e Kosovës në hartën Evropiane.

Osmani tha se Manifesta e ka mbushur vazhdimisht Prishtinën me aktivitete artistike si kurrë më parë.

"Nuk duhet lënë anash padyshim edhe ndikimin ekonomik që Manifesta ka shënuar në vend. Investimi ynë në Manifesta është mbajtur brenda vendit përmes angazhimit të stafit lokal të Manifestës, shërbimeve kontraktuale të nevojshme për Manifestën si dhe angazhime të tjera për kryerjen e punëve logjistike”, tha Osmani duke shtuar se shifrat e sakta për këtë festival pritet të dalin në dhjetor.

E themeluar në fillim të viteve të 90-ta, Manifesta ndryshon vendndodhjen çdo dy vite dhe rimendon lidhjen mes kulturës dhe shoqërisë civile duke hulumtuar dhe marrë nisma për ndryshime pozitive sociale përmes kulturës bashkëkohore që i përgjigjet dhe është njëkohësisht në dialog të ngushtë me sferën shoqërore të Qytetit Nikoqir dhe komuniteteve të tij.

Edicioni i kaluar i Manifesta-s u mbajt në Marsej të Francës ndërsa destinacioni i radhës pas Prishtinës do të jetë Barcelona, për edicionin e 15-të.

AA