Nëntori sjell edhe Panairin e Librit në Tiranë, një ngjarje mbarëkombëtare e librit që po mbahet për 25 vjet me radhë.
Në edicionin e 25-të, panairi “Tirana 2022” do të organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve në datat 16-20 nëntor, nën moton “Të gjithë jemi lexues”. Dyert do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 21.
Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja dhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara.
Ky panair përshkruhet si ngjarja më e madhe letrare e vitit, ndërsa në përmbajtje përveç librave dhe autorëve të rinj, do të ketë edhe prezantime, konkurse, konferenca dhe në fund ndarjen e çmimeve të panairit.
Zakonisht Panairi i Tiranës vizitohet nga të gjitha trevat shqiptare.
Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi "Tirana 1998", i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht.