Tradita qindravjeçare e përgatitjes sw qilimave me dorë në Egjipt     Foto: AA

Zanati i thurjes së qilimave të punuar me dorë, që vazhdon prej qindra vitesh në Egjipt, i cili është ndër qytetërimet më të vjetra në botë, vazhdon edhe sot.
Personat që trajnohen në kurset e thurjes së qilimave në qytete të ndryshme të Egjiptit, kontribuojnë në buxhetin e familjes duke punuar në tezgjahët tradicionalë të thurjes.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Mune Muhammed, tha se e ka mësuar të endë qilima rreth dy vjet më parë.
Duke theksuar se mbante familjen me të ardhurat që fitonte duke endur qilima, Muhammed tha: "Bërja e qilimave mund të zgjasë ditë, ndonjëherë edhe javë, në varësi të modelit dhe madhësisë së tyre. Unë mbaroj mesatarisht 2-3 qilima në muaj".

Arti i thurjes së qilimave në Egjipt daton qindra vjet më parë

E reja nga Egjipti deklaroi se sot shumë fabrika qilimash prodhojnë me teknologji të avancuar dhe për këtë arsye me kalimin e kohës është ulur numri i qilimave të prodhuara me dorë.
"Arti i thurjes së qilimave në Egjipt daton qindra vjet më parë. Duke bërë këtë, ne në fakt po e mbajmë të gjallë trashëgiminë e thurjes së qilimave, një artizanat i trashëguar tek ne nga paraardhësit tanë, nga e kaluara në të tashmen", tha Muhammed.
Duke theksuar se e do punën e saj, Muhammed tha se gjatë gjithë ditës kalon një kohë të mirë me miqtë e saj dhe se kjo punë është burim të ardhurash për shumë gra.

Përmes qilimave deri te edukimi


Një tjetër egjiptiane që siguron jetesën duke endur qilima është edhe Ummu Jusuf.
Jusuf, nënë e tre fëmijëve, tha: "Kam humbur burrin tim vite më parë. Vendosa të merrem me këtë profesion për të shkolluar tre fëmijët e mi që mbetën jetimë pas vdekjes së burrit tim dhe për të mos i bërë ata të varur nga askush. Kështu që po përpiqem t'i shkolloj tre fëmijët e mi jetimë duke endur qilima".
Ajo u shpreh se nuk mërzitet aspak kurrë nga thurja e qilimave dhe se do të dëshironte që të hapte një qendër qilimash në fshatin e saj, që të rinjtë ta mësojnë këtë zanat.
Gruaja egjiptiane deklaroi se e shihte këtë profesion si një burim shumë të mirë për të ardhura dhe se fëmijët e saj duan të punojnë për ta ndihmuar atë, por ajo e refuzoi këtë ofertë që ata të përfundojnë shkollimin.
Qilimat egjiptiane konkurrojnë me Indinë dhe Iranin në tregun ndërkombëtar
Enver Ebu Zayed, menaxher i biznesit të thurjes së qilimave në fshatin Dar es-Selam në qytetin e Faiyum të Egjiptit, tha për AA se qilimat e endura në vendin e tij kanë një vend të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të qilimave të punuar me dorë.
"Unë mendoj se qilimat e punuar me dorë të prodhuar në Egjipt janë konkurruese me Indinë dhe Iranin në tregun ndërkombëtar, veçanërisht me Iranin, si në aspektin e çmimit ashtu edhe në dizajnin tërheqës", tha Zayid.
Ai deklaroi se qilimat kalojnë nëpër faza të ndryshme përpara se të marrin formën e tyre përfundimtare dhe se ato ishin thurur si rezultat i një përpjekjeje të jashtëzakonshme të bërë tërësisht me dorë.
Duke thënë se çmimi për metër katror varion midis 1200-3000 pound egjiptian (përafërsisht 64-160 dollarë) në varësi të llojit dhe dizajnit të qilimit, Zayid theksoi se ata ofrojnë një kurs katërmujor të thurjes së qilimave për gratë që duan të punojnë në këtë biznes.

AA